Trendy

Bastoret dhe kazinot, shkak i përplasjes së radhës në politikën shqiptare

Para 8 muaj

Ligji i miratuar në Qeveri, i cili parasheh 500 metra distancë të bastoreve dhe kazinove nga shkollat fillore, të mesme dhe çerdhet, është goditje direkte për të prishur imperinë e atyre që promovojnë fat, kurse sjellin fatkeqësi, tha zëvendëskryeministri Izet Mexhiti. Bixhozin, Mexhiti e krahasoi me kancerin dhe tha se të njëjtën e ka zhvilluar në masë të madhe përbërja e kaluar qeveritare.

Duke folur për këtë, Mexhiti tha se, për dallim nga përbërja e kaluar, kjo përbërje qeveritare luftën kundër bixhozit e ka marrë me shumë seriozitet dhe se të njëjtën do ta çojë deri në fund.

“Me projektligjin e miratuar dje në Qeveri në start do ulet prezenca e kësaj katastrofe kolektive për të paktën 70%. Po e theksoj, ky është vetëm fillimi. Pra, nga mbi 7 mijë aparate VLT me goditjen e parë do të eliminohen 4 mijë sosh. Po ndalojmë reklamimin e bixhozit. Kazino më nuk do të ketë nëpër vendbanime, qytete e fshatra siç është gjendja aktualisht”, deklaroi Mexhiti.

Por, Bashkimi Demokratik për Integrim akuzoi se VLEN flet sikur po lufton bixhozin, por vepron sikur janë zëdhënësit e tij, duke shtuar se VLEN-i premtoi mbylljen e kazinove, e sot, falë tyre, kazinotë i kemi më afër se kurrë.

“Kjo është ironia e zezë e një fushate të ndërtuar mbi gënjeshtra, ku premtimi ishte mbyllja, ndërsa rezultati është lulëzimi i industrisë së bixhozit. Kur industria e lojërave të fatit protestonte përballë Kuvendit, VLEN-i nuk ishte në anën e qytetarëve, ishte në anën e kazinove. Kur u propozua një ligj serioz, që do t’i mbyllte dhe dislokonte bastoret, ata ishin kundër. Kur VMRO hodhi ‘ashte’ në formë postesh dhe privilegjesh, VLEN-i u përfshi i entuziazmuar”, reagoi BDI.

Edhe Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit kritikoi këtë propozimligj, duke thënë se me këtë ligj nuk ndalohen as bastet pranë shkollave, sepse sipas tyre, FLEN – siç e quajnë ata koalicionin shqiptar – flasin pa e lexuar ligjin.

“1. Lejon funksionimin e kazinove, klubeve të automatëve dhe lojërave elektronike të fatit në hapësira të posaçme, duke kërkuar vetëm kushte tekniko-teknologjike që i përcakton ministri i Financave (paragrafi 1). 2. Vendos një distancë minimale prej 500 metrash nga shkollat fillore dhe të mesme, por kjo vlen vetëm për kazinot dhe automatet (paragrafi 2). 3. Bëhet përjashtim për bastoret: pikërisht në paragrafin 3 thuhet qartë se ‘kjo distancë nuk vlen për pikat e pagesës për bastore’. Pra, bastoret mund të qëndrojnë pranë shkollave!”, reagoi ASH.

Tentime të ngjashme për dislokimin ose mbylljen e bastoreve e kazinove 500 metra larg objekteve shkollore kishte edhe nga subjektet e qeverive të kaluara. Propozime të tilla ishin bërë edhe nga ASH-ja e BDI-ja, por të njëjtat u bllokuan në komisionet amë të Kuvendit.

Trending