Trendy

Baton, po Atifete?

Para 53 minuta

Nga Bashkim Aliu

Në emisionin Pressing në TV7, në kulmin e debatit për zgjedhjen e presidentit të vendit në Republikën e Kosovës, opinionisti Baton Haxhiu u shpreh me sarkazëm: “Shikojeni çfarë emrash LVV propozon në vitin 2026 për t’u votuar si presidente në Kuvendin e Republikës së Kosovës: Feride dhe Hatixhe.” Këto fjalë nuk mund të konsiderohen thjesht humor i pafajshëm, pasi prekin drejtpërdrejt dinjitetin e njerëzve, duke normalizuar një formë talljeje që nuk ka vend në diskursin publik, veçanërisht kur artikulohet nga persona me hapësirë të madhe mediatike.

Pa hyrë në atë nëse këto dy zonja kanë bërë mirë apo jo që kanë pranuar të kandidohen në rrethana të tilla, pasi kjo nuk është relevante përballë prononcimeve fyese në emisione që ndiqen nga mijëra njerëz, është e sigurt se përzgjedhja e tyre është bërë mbi bazë meritash, dhe jo rastësisht. Sido që të jenë rrethanat, për një pozitë me kaq përgjegjësi, qoftë edhe nëse dihet paraprakisht epilogu i kandidimit, nuk mund të propozohen figura të pa kualifikuara dhe pa kontribut publik. Për më tepër, duke qenë se këto dy kandidate janë gra, duhet treguar kujdes i veçantë në mënyrën e cilësimit të tyre, pasi gjuha jo adekuate e tejkalon kundërshtimin politik dhe kalon në diskriminim gjinor.

Një gjuhë e tillë arrogante dhe nënçmuese, në vend që të inkurajojë gratë për pjesëmarrje aktive në jetën shoqërore dhe politike, i dekurajon dhe i demotivon ato, sidomos kur përdoret nga figura që kanë qasje në media dhe komentojnë çështje publike. Në raste të tjera, protagonistë të tillë shfaqen si kritikë të ashpër ndaj atyre që nënçmojnë gratë, por kur një gjë e tillë vjen nga persona që nuk i pëlqejnë apo i kundërshtojnë, sidomos ata që i etiketojnë si “promotorë të islamit politik”, reagimet e tyre zbehen ose mungojnë krejtësisht.

Tallja me emra si “Feride” dhe “Hatixhe” nuk është thjesht kritikë politike, por merr trajtën e një përçmimi të koduar që synon të nënvlerësojë jo vetëm individët, por edhe identitete kulturore. Pikërisht këtu qëndron rreziku i deklaratave të tilla: ato nuk mbeten në kufijtë e rivalitetit politik, por shndërrohen në forma të injorimit kulturor, duke reflektuar një ndjenjë të rreme epërsie dhe mungesë ndjeshmërie ndaj diversitetit.

Emrat nuk përfaqësojnë paaftësi, prapambetje apo mungesë kompetence. Ata janë pjesë e historisë, familjes dhe identitetit të mijëra qytetarëve. Kur përdoren si mjet ironie për të sugjeruar se dikush nuk është i denjë për një pozitë të lartë, krijohet një klimë përjashtuese dhe diskriminuese. Këto dy zonja i kanë dhënë vlerë emrave të tyre përmes punës dhe kontributit në shoqëri. Ndryshe nga disa oratorë të tipit të Batonit, të cilët mund të mbeten në kujtesën publike më shumë për fjalorin ofendues sesa për ndonjë kontribut domethënës.
Në një shoqëri demokratike, debati për kandidatë presidencialë duhet të bazohet në ide, programe dhe integritet, jo në stereotipe apo paragjykime të maskuara si “humor”. Përndryshe, rrezikojmë të normalizojmë një kulturë ku përkatësia sociale apo kulturore bëhet objekt talljeje, duke i larguar qytetarët nga pjesëmarrja në jetën publike, veçanërisht gratë për të cilat shpesh pretendohet se mbrohen.
Megjithatë, në raste të tilla, zërat që zakonisht janë të zëshëm bëhen të heshtur, pasi autori i deklaratës nuk është një “islamist”, që për ta do të ishte objekt i lehtë sulmi. Ndaj deklaratave të tilla, me dozë të lartë nënçmimi dhe diskriminimi, do të duhej të reagonin edhe shoqatat e gazetarëve në Kosovë, si dhe organizatat që merren me të drejtat e njeriut dhe avancimin e grave. Por reagimet, për fat të keq, janë të vakëta.

Të parët që duhej të reagonin ishin pjesëmarrësit në atë emission, moderatori dhe të ftuarit e tjerë. Megjithatë, njëri prej tyre, i cili ligjëron edhe në Universitetin e Prishtinës, e quajti këtë gjuhë fyese, madje edhe bullizuese, thjesht “perceptim të Batonit”. Çfarë ironie!

Nëse Batonit dhe të tjerëve të ngjashëm u duken të vjetruar emra si “Feride” dhe “Hatixhe” në vitin 2026, lind pyetja: a mendonin njësoj edhe kur u propozua, gjegjëisht kur u nxorr nga zarfi emri Atifete për presidente, jo shumë vite më parë? A ishte atëherë emri “Atifete” në modë, ndërsa sot “Feride” dhe “Hatixhe” qenkan jashtë mode? Po emra si Hashim, Ramush apo Envera, nuk i përkasin të njëjtit kontekst kulturor? Pse nuk pati reagime atëherë, kur bartës të këtyre emrave mbanin poste të larta publike?

Respekti për qytetarët fillon nga gjuha që përdorim. Nëse duam institucione më të forta dhe përfaqësim më të drejtë, duhet të refuzojmë çdo formë diskursi që cenon dinjitetin e njerëzve, qoftë edhe kur paraqitet si shaka.

Po e përfundoj me një përshkrim që e kam lexuar nga ish-shefi i Batonit në gazetën Koha Ditore, i cili shkruante se kur Batoni hynte në ndonjë zyrë dhe kërkonte dikë që nuk ndodhej aty, thoshte: “Nuk kaka?”

Trending