Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka shënuar rritje të ndjeshme të pronave që zotëron gjatë vitit 2022, duke zgjeruar dukshëm sipërfaqet në pronësi të saj, informon PressOnline.al
Partia ka blerë një ndërtesë pesëkatëshe në qendër të Tetovës, me sipërfaqe rreth 1.200 metra katrorë, për të cilën deklaron se është financuar përmes një kredie. Megjithatë, objekti që ndodhet në një lokacion atraktiv pranë “Telekomit” rezulton i pashfrytëzuar dhe pa shenja se jepet me qira.
Përveç kësaj prone, BDI posedon selinë partiake në Çair të Shkupit, si dhe rreth 430 metra katrorë në qendrën tregtare “Mavrovka”, ku funksionon Qendra Analitike e partisë. Ajo gjithashtu ka prona në Pllasnicë dhe Dibër, të cilat përdoren si shtabe lokale.
Ndërkohë, objekti i njohur në Reçicë të Vogël, ku ndodhet selia qendrore e partisë, nuk është në pronësi të saj, por funksionon me qira.
Sipas hulumtimit të BIRN, përveç pronave të dedikuara për aktivitete partiake, disa subjekte politike zotërojnë edhe pasuri të tjera si toka kullotash, objekte turistike dhe banesa, çka hap dilema për përdorimin e tyre real.
Në disa vendime, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut ka theksuar se partitë politike nuk janë krijuar për të grumbulluar pasuri apo për të funksionuar si biznese. Sipas saj, roli i tyre është të bashkojnë qytetarët rreth vlerave dhe vizioneve shoqërore, e jo rreth interesave financiare. Për këtë arsye, gjykata paralajmëron se partitë duhet të jenë kundërpeshë ndaj interesave të ngushta materiale në shoqëri, dhe jo pjesë e tregut ku dominon logjika e fitimit.(PressOnline.al)










