Trendy

BDI: Funksioni i ri i Ljutkovit e kthen kulturën nën kontrollin e VMRO-së

Para 1 orë

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj emërimit të ish-ministrit të Kulturës, Zoran Ljutkov, në pozitën e koordinatorit nacional për kulturë, duke vlerësuar se ky veprim dëshmon peshën reale që, sipas tyre, e ka koalicioni VLEN brenda Qeverisë.

Në reagimin e BDI-së, theksohet se pas rikonstruimit qeveritar, Ministria e Kulturës iu besua përfaqësuesve të VLEN-it, por sipas BDI-së, drejtimi real i politikave kulturore vazhdon të mbetet nën kontrollin e VMRO-DPMNE-së.

“Emërimi i ish-ministrit Zoran Ljutkov për koordinator nacional për kulturë tregon sa peshë ka realisht VLEN-i brenda Qeverisë. Pas rikonstruimit, Ministria e Kulturës iu dorëzua atyre, ndërsa sot drejtimi politik i këtij sektori iu kthye Ljutkovit përmes një funksioni të krijuar në Qeveri”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Nga BDI vlerësojnë se, megjithëse VLEN mban postin e ministrit dhe emëron bashkëpunëtorët e tij në sektorin e kulturës, vendimmarrja kryesore dhe prioritetet strategjike vazhdojnë të përcaktohen nga partneri më i madh qeveritar.

“Ministria për VLEN-in, kultura për Ljutkovin”, theksojnë nga BDI, duke shtuar se ky është, sipas tyre, “poshtërimi i radhës” që pranohet në heshtje nga partnerët shqiptarë në Qeveri.

BDI konsideron se emërimi i Ljutkovit dëshmon se kontrolli mbi politikat kulturore mbetet në duart e VMRO-DPMNE-së, pavarësisht ndryshimeve kadrovike të bëra pas rikonstruimit të kabinetit qeveritar. /Zhurnal.mk

Trending