Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit lidhur me çështjen e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke e cilësuar atë si përpjekje për shmangie të përgjegjësisë institucionale. Nga kjo parti thonë se deklarimi i kryeministrit se bëhet fjalë për një “problem të trashëguar” nuk qëndron, pasi sipas tyre bëhet fjalë për një të drejtë që buron drejtpërdrejt nga Kushtetuta dhe nga Ligji për përdorimin e gjuhëve. “Deklarata e Kryeministrit se çështja e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe është ‘problem i trashëguar’ është një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë për moszbatimin e një të drejte që buron drejtpërdrejt nga Kushtetuta dhe nga Ligji për përdorimin e gjuhëve”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Nga kjo parti theksojnë se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe se ky status nuk është çështje interpretimi politik, por një realitet kushtetues dhe ligjor që duhet të respektohet nga të gjitha institucionet. “Gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ky nuk është interpretim politik, por realitet kushtetues dhe ligjor që duhet të respektohet nga çdo institucion shtetëror”, thuhet më tej në reagim. BDI rikujton se Ligji për përdorimin e gjuhëve është miratuar pikërisht për të garantuar barazinë gjuhësore dhe për të përforcuar karakterin multietnik të shtetit. “Përpjekjet për ta paraqitur këtë ligj si ‘problem’ apo për të transferuar përgjegjësinë tek të tjerët nuk i shërbejnë as së vërtetës dhe as stabilitetit institucional të vendit”, thekson partia. Në reagim thuhet gjithashtu se studentët shqiptarë nuk kërkojnë privilegje, por zbatimin e ligjeve ekzistuese. “Studentët shqiptarë nuk po kërkojnë privilegje.










