Bashkimi Demokratik për Integrim ka shprehur reagim të ashpër pas deklaratës së gjykatësit kushtetues Osman Kadriu, në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që shfuqizoi emërtimet shqiptare të rrugëve, shesheve dhe bulevardeve në Tetovë, duke rikthyer emrat e periudhës jugosllave.
Sipas BDI-së, ajo që ka deklaruar Kadriu paraqet një sinjal serioz shqetësimi për mënyrën se si është trajtuar i gjithë rasti në Gjykatën Kushtetuese.
Në reagimin e plotë të partisë thuhet se deklarata e gjykatësit kushtetues Osman Kadriu, e dhënë pas vendimit për heqjen e emërtimeve shqiptare të rrugëve, shesheve dhe bulevardeve në Tetovë dhe kthimin e emrave nga periudha jugosllave, përbën një tregues tejet shqetësues për rrjedhën e këtij procesi.
Siç ka bërë të ditur vetë gjykatësi Kadriu, Komuna e Tetovës nuk e ka mbrojtur vendimin e saj të vitit 2007 dhe nuk i ka paraqitur argumentet e nevojshme para Gjykatës Kushtetuese.
Po ashtu, sipas tij, Qeveria nuk ka ofruar asnjë përgjigje konkrete dhe nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për mbrojtjen e këtij akti.
Në deklarim thuhet gjithashtu se vendimi është marrë me mbivotim etnik, ku dy gjykatës shqiptarë dhe një gjykatës turk kanë mbetur në pakicë.
Nëse këto pretendime rezultojnë të sakta, atëherë, sipas BDI-së, bëhet fjalë për një dështim të trefishtë institucional.
Partia e konsideron të papranueshme që Komuna e Tetovës të mos ketë mbrojtur një vendim historik, i cili për afro dy dekada ka qenë pjesë e identitetit urban dhe institucional të qytetit.
Po aq e papranueshme, sipas tyre, është edhe heshtja e Qeverisë përballë një çështjeje që prek drejtpërdrejt marrëdhëniet ndëretnike, karakterin multietnik të shtetit dhe frymën e Marrëveshjes së Ohrit.
BDI vlerëson se mbetet thellësisht shqetësuese edhe fakti që tema me ndjeshmëri të lartë etnike dhe politike të vendosen përmes logjikës së mbivotimit etnik, gjë që, sipas saj, cenon besimin ndaj institucioneve që duhet të garantojnë barazinë dhe bashkëjetesën.
Në fund, BDI thekson se qytetarët meritojnë përgjigje të qarta se përse Komuna e Tetovës nuk e mbrojti vendimin e saj, pse Qeveria heshti dhe si u lejua që një çështje me pasoja kaq të mëdha për shqiptarët të mbetej pa asnjë mbrojtje institucionale.










