Trendy

BDI në heshtje pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ndarjen “rezident–jorezident”: Çështje e ndjeshme me pasoja politike dhe juridike

Para 4 muaj

Pas vendimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese, i cili shfuqizoi dispozitat e Metodologjisë për regjistrimin e popullsisë që ndanin qytetarët në “rezidentë” dhe “jorezidentë”, nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar. Përfaqësuesit e kësaj partie vazhdojnë të jenë aktivë në rrjetet sociale, ku polemizojnë me oponentët politikë, por nuk kanë pranuar të komentojnë për mediat lidhur me implikimet e vendimit.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, drejtori i atëhershëm i Entit Shtetëror për Statistikë (ESSH), Apostoll Simovski, ka vepruar në mënyrë të paligjshme duke tejkaluar kompetencat dhe duke futur një kategorizim që nuk parashihet në ligj. Megjithatë, përgjegjësia nuk është vetëm personale, pasi vendimet ishin të nënshkruara edhe nga zëvendësdrejtori Ilmi Selami, përfaqësues shqiptar në këtë institucion.

Selami, në një deklaratë të mëhershme, kishte justifikuar bashkëpërfshirjen e tij me nevojën për të ndarë barrën institucionale me drejtorin, duke shtuar: “Çdokush prej nesh bartë përgjegjësi ligjore. Për atë që kemi bërë do të japim llogari. Ne nuk jemi fëmijë këtu… Nënshkrimi i lidhur është nënshkrim i dyfishtë, i cili i ndihmon procesit.”

Opozita shqiptare, ndërkohë, ka ngritur dyshime serioze për prapavijë politike të kësaj metodologjie. Deputeti Skender Rexhepi, i cili e inicioi çështjen në Gjykatë, deklaroi se kategorizimi në “jorezidentë” kishte për qëllim uljen artificiale të numrit të shqiptarëve në vend.

Vendimi i Gjykatës ka ngjallur debat të ashpër në opinion, ndërsa heshtja e BDI-së shihet nga kritikët si mungesë përgjegjësie për një proces që tashmë ka pasoja të mundshme politike, juridike dhe financiare për të gjithë vendin.

Trending