Kongresi i BDI-së, i planifikuar për më 20 dhjetor, vjen si momenti më delikat politik për këtë parti që nga themelimi i saj.
Pas më shumë se njëzet vitesh dominim në skenën politike shqiptare, Bashkimit Demokratik për Integrim për herë të parë ndodhet në një situatë pa pushtet qendror dhe pa pushtet lokal.
Kjo situatë ka imponuar domosdoshmërisht vetëanalizë dhe vendime të guximshme, të cilat pritet të diskutohen në këtë Kongres.
Deklaratat për reforma shpesh herë kanë qenë të pranishme brenda BDI-së, por si duhet të jenë ato në të vërtetë?
“Unë mendoj që BDI kësaj radhe përveç që duhet të bëj reformim të njerëzve të cilat kanë qëndruar në krye të proceseve këto 20 vite duhet të fokusohet më tepër në organizimin e brendshëm partiak dhe në funksionalizimin e partisë si organ i cili ka trupat e vet brenda partisë”, tha Sefer Selimi, analist.
Njohësit politikë thonë se lodhja e opinionit publik nga figurat e njëjta, ndikuan drejtpërdrejt në rënien e mbështetjes ndaj partisë, andaj duhet energji e re. Analisti Sefer Selimi thotë se kjo situatë kërkon ndërhyrje të thellë strukturore.
“Duhet të ketë reflektim të thellë edhe nga vet njerëzit të cilët kanë qenë në politikë më tepër se 20 vite dhe janë konsumuar nga opinioni publik, si dhe do të mundësojnë hapjen e rrugës për energji të reja, për figura të reja”, deklaroi analisti Selimi.
Për vite me radhë, partia ka funksionuar mbi një model lidershipi, andaj Selimi thotë BDI dalëngadalë duhet të krijojë organe të qëndrueshme që do të mund të qëndrojnë edhe në momente kur lideri Ali Ahmeti nuk do të jetë në krye të partisë.
“Deri më tani ne kemi qenë dëshmitarë se barrën ose peshën kryesore e ka mbajtur miti ose autoriteti i kryetarit të partisë Ali Ahmeti, i cili për të thënë të vërtetën ka arritur ta tërheq zvarrë partinë e tij drejt fitoreve vetëm duke u bazuar mbi kapacitetin e tij si figurë politike. Për mua është koha që BDI të fillojë ngadalë shkëputjen nga miti i Ali Ahmetit dhe të fillojë që të krijojë organe që të jenë të qëndrueshme dhe do të mund të qëndrojnë edhe në momente kur z. Ahmeti nuk do të jetë në krye të partisë”, tha Selimi,
Nga BDI shprehen të bindur se pas kongresit, partia do të jetë më e konsoliduar dhe me energji të reja, në drejtim të realizimit të përcaktimeve.
“BDI gjithmonë ka qenë avangarde në skenën politike shqiptare për nga performanca, jo vetëm kadrovike por edhe nga politikat dhe vlerat të cilat BDI i ka promovuar dhe si rezultat i asaj ka marr mbështetjen e qytetarëve. Prandaj presim një kongres të suksesshëm ku BDI edhe më i konsoliduar edhe më energjik në drejtim të realizimit të përcaktimeve të saja”, tha Arbër Ademi, nënkryetar i BDI-së.
Kur kanë mbetur edhe 4 ditë deri te mbajtja e kongresit, BDI është para një zgjedhjeje vendimtare: Ose do të vazhdojë me të njëjtën qasje dhe të njëjtët aktorë politikë, ose do të hapë një kapitull të ri me ndryshime thelbësore. Kongresi i 20 dhjetorit pritet të jetë momenti kur kjo ndarje bëhet e qartë, sepse pa hapa konkretë, çdo paralajmërim për reformë mbetet deklarativ.





