Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) përmes një kumtese ka akuzuar qeverinë aktuale për qasje të padrejtë ndaj shqiptarëve, ndërsa thonë se ata do të jenë në mbrojtje të shqiptarëve. Nga BDI thonë gjithashtu se Qeveria po përdor politikanët shqiptarë për të realizuar planet e saj.
“Gjatë periudhave më të errëta të regjimeve jugosllave, çdo zë i shqiptarëve, qoftë për drejtësi, barazi apo të drejtat e tyre themelore, trajtohej me ironi, sarkazëm dhe përbuzje. Pas këtyre qëndrimeve cinike, gjithmonë vinin kërcënimet, dhe përpjekjet për t’i shtypur ato zëra të drejtë. Historia dëshmon se këto metoda jo vetëm që nuk i kanë ndalur shqiptarët, por kanë forcuar qëndresën dhe vendosmërinë e tyre për të luftuar për drejtësi dhe barazi. Gjithmonë, këto qasje të padrejta ndaj shqiptarëve kanë qenë të dizajnuara në Beograd, të zbatuara përmes aparatit shtetëror në Shkup dhe shpesh të mbuluara me disa figura shqiptare marioneta, të cilat kanë shërbyer si fasadë për këto politika. E njëjta skemë po përsëritet edhe sot. Afërsia e rrezikshme mes kësaj qeverie jolegjitime dhe Beogradit është e dukshme, e manifestuar në emërimin e një figure si Stoilkovic – një instrument i Putinit dhe Vulin-it – si Zëvendëskryeministër për marrëdhëniet ndëretnike.”, thuhet mes tjerash në komunikatën e lëshuar nga BDI. nga ku i bëjnë thirrje Qeverisë që të tërhiqet nga nisma për abrogimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve,
“I bëjmë thirrje Kryeministrit dhe kësaj qeverie jolegjitime të tërhiqen plotësisht nga axhenda për të zhvlerësuar Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe për të prishur themelet e Marrëveshjes së Ohrit. Kjo qasje regresive, përçarëse dhe e orkestruar, nuk ka vend në një shoqëri që synon një të ardhme evropiane dhe multietnike. BDI qëndron fuqishëm në mbrojtje të të drejtave dhe arritjeve historike të shqiptarëve dhe të Marrëveshjes së Ohrit. Shqiptarët nuk do të lejojnë që stabiliteti dhe barazia të preken nga qasjet e vjetruara dhe destruktive që shkojnë kundër drejtësisë dhe të ardhmes së përbashkët të këtij vendi” – thuhet në kumtesën e BDI-së.