Në seancën gjyqësore të zhvilluar këtë të mërkurë për dosjen e vrasjes së Liridona Ademajt, vëmendja u përqendrua jo vetëm te rrethanat e ngjarjes, por edhe te situata financiare e personave të akuzuar. Para trupit gjykues u paraqit Naim Murseli, ndërsa gjatë shqyrtimit u soll në diskutim edhe një marrëveshje paraprake që lidhej me një detyrim financiar prej 100 mijë eurosh të tij ndaj biznesmenit Behgjet Pacolli.
Në lidhje me këtë çështje ka reaguar vetë Pacolli, i cili ka dhënë detaje mbi mënyrën se si është shlyer një pjesë e detyrimit.
Sipas tij, nga shuma totale, familja e Murselit ka kthyer 12 mijë euro, ndërsa pjesa tjetër është konsideruar e kompensuar përmes angazhimeve profesionale që Murseli ka kryer për kompani dhe organizata të lidhura me grupin Mabetex, Fondacionin BP si dhe disa platforma në rrjetet sociale.
Pacolli ka sqaruar se këto angazhime kanë qenë kryesisht të lidhura me administrimin dhe mirëmbajtjen e faqeve online, duke theksuar se kjo ishte forma përmes së cilës është llogaritur shlyerja e pjesës tjetër të borxhit.










