Trendy

Bekim Fazliu kritikon analistët nga Kosova dhe Shqipëria: Më shumë na shajnë sesa na përkrahin

Para 2 orë

Kryetari i Lëvizja Arbëria, Bekim Fazliu, ka reaguar ndaj kritikave dhe komenteve të disa analistëve, gazetarëve dhe politikanëve nga Kosova dhe Shqipëria ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Fazliu ka deklaruar se po të kishin marrë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut qoftë edhe një pjesë të mbështetjes që, sipas tij, zëvendësohet me sulme dhe sharje, pozita e tyre kombëtare dhe politike do të ishte shumë më e avancuar.

“Po të na kishin përkrahur vetëm pak, sa na shajnë aq shumë disa ‘analistë’ e ‘gazetarë’ nga Kosova e Shqipëria, por edhe disa politikanë, ne shqiptarët e Maqedonisë së Veriut moti do të ishim të lirë e të bashkuar”, shkruan Fazliu.

Ai vlerëson se një pjesë e figurave publike shqiptare jashtë vendit harxhojnë më shumë energji në sulme, njollosje dhe përçarje sesa në ofrimin e mbështetjes konkrete për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

Sipas Fazliut, edhe kur vjen mbështetja, ajo shpeshherë nuk u jepet qytetarëve, por individëve që, sipas tij, punojnë kundër interesave kombëtare.

Në reagimin e tij, kreu i Lëvizjes Arbëria ironizon edhe qëndrimet e disa analistëve, duke thënë se shpeshherë i përdor deklaratat e tyre si “sistem orientimi të kundërt” për të kuptuar se cilat qëndrime nuk duhet të mbështeten.

“Sa herë që kam pasur dilemë kë të përkrah, mjafton t’i dëgjoj këta ‘analistë’ dhe vendimi bëhet i thjeshtë. Kë përkrahin ata, unë e di ku s’duhet të jem”, ka shkruar ai.

Fazliu ka drejtuar kritika të ashpra ndaj atyre që, sipas tij, ndryshojnë qëndrimet në varësi të interesave financiare, duke shtuar se ata “njohin vetëm aromën dhe ngjyrën e parasë, jo ngjyrat e kombit”.

Megjithatë, ai ka bërë dallimin mes këtyre figurave dhe atyre që, sipas tij, vazhdojnë të mbështesin me sinqeritet çështjet kombëtare, duke përfunduar reagimin me mesazhin: “Respekt për përjashtimet!”.

Trending