Trendy

Bexheti: “Goja e ligë, nderin ta nxinë”

Para 2 orë

Një debat i tensionuar është zhvilluar sot në Kuvend, ku shkëmbimi i fjalëve mes deputetit të BDI-së, Blerim Bexheti dhe deputetes së VLEN, Saranda Imeri, ka kaluar në tone personale dhe akuza të drejtpërdrejta. Replikat e ashpra mes dy deputetëve kanë nxitur reagime, ndërsa Bexheti ka dalë me një qëndrim publik përmes rrjeteve sociale, përcjell tetova1

Në reagimin e tij, ai ka kritikuar ashpër nivelin e debatit, duke e cilësuar atë si degradim të diskursit politik dhe duke ngritur shqetësime për përdorimin e gjuhës shqipe në këtë kontekst.

Reagimi i plotë i Bexhetit:

“Sot në Kuvend nuk pamë debat.

Pamë degradim.

Në vend të argumentit – fyerje.

Në vend të përfaqësimit – britma dhe klithje.

Vetëm aq dinë. Prandaj s’Vlen.

Dhe ajo që është edhe më shqetësuese: gjuha shqipe përdoret vetëm kur duhet të sulmohet, të ofendohet dhe të krijohet konflikt ndërshqiptar, por jo kur gjuha shqipe duhet të mbrohet si e drejtë kushtetuese e shqiptarëve.

Një model ku disa përfaqësues flasin shqip vetëm kur duhet të helmojnë debatin, ndërsa heshtin kur duhet të mbrojnë: përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, parimin e Badinterit, balancuesin dhe përfaqësimin e drejtë.

Të gjitha këto janë të drejta të fituara me sakrificë ndër vite dhe sot po relativizohen dhe nënçmohen.

Kjo nuk është rastësi. Është model dhe strategji e imponuar nga ato që kontrollojnë. Kjo ndodh me urdhër të padronit për të hequr vëmendjen nga problemet reale në shtet dhe për ta kthyer në një “zënkë” mes shqiptarëve.

Ka një fjalë popullore:

“Goja e ligë, nderin ta nxin.”

Fyerja nuk e ul tjetrin – të ul ty.

Përçarja nuk e dobëson kundërshtarin – të zhvesh nga dinjiteti.

Gjuha shqipe nuk është mjet për fyerje.

Nuk është armë për konflikt.

Është themel i identitetit dhe i të drejtave tona.

Kur ajo zbret nën nivel, nuk degradohet vetëm debati – degradohet përfaqësimi politik i shqiptarëve.

Kjo është nën çdo standard.

Nën çdo kulturë. Nën çdo edukatë.

Çdo fjalë e ndyrë që del nga goja juaj nuk e ul tjetrin, ju demaskon ju.

E tregon nivelin tuaj. Dhe për fat të keq, e përfaqëson nivelin që po përpiqeni t’i impononi politikës shqiptare.

Kjo nuk është vetëm e papranueshme.

Është degradim total.

Dhe nuk do të kalojë si “normalitet”!!!”, ka përfunduar Bexheti./tetova1.mk

Trending