Trendy

Bikinit dhe tetovarët!

Para 9 muaj

Shkruan/Urim Hasipi-Gazetar

Për tre netë me rradhë sheshi i Tetovës, pse jo dhe qyteti i  Tetovës ishte nikoqir i turneut ballkanik të volejbollit në rërë.

Kur jemi tek volejbolli në rërë dihet se volejbollistet janë më të zhveshura se zakonisht për shkak të natyrës së këtij sporti.

Mos kishit dashtë me lujt me dimija vajzat në temperatura të larta ekstreme.

Dhe kjo është shumë normale dhe nuk ka vend për diskutim.

Por, kjo nuk ka të bëjë me atë  syrin tonë siç jemi mësuar zakonisht t’i shohim femrat.

Shkaku i veshjes së vajzave volejbolliste u ngrit shumë pluhur madje duke tejkaluar pritshmëritë  e gjithsecilit që të paktën ka sy për sport.

Si duket pluhuri për bikinet ishte më i rëndësishëm se vet organizimi i një eventi Ballkanik, që si destinacion kësaj rradhe kishte Tetovën.

E kur jemi te bikinet, hiç më pak të veshura nuk janë vajzat nëpër videoklipet e këngëtarëve tanë madje duke tejkaluar çdo normë etike të veshjes por heshtim dhe i shikojmë.

E kur jemi te veshjet, mbi 60 ose 70 përqind e tetovarëve shkojnë në pushime në bregdet ku veshja me bikini është e pashangshme.

Po, nëse shkoni në bregdet atje paguani për të parë bikini kurse në Tetovë e kishit gratis kësaj rradhe.

Pse do të duhej që të ishte kaq “tragjik” një organizim i këtillë në Tetovë, ku mirë dihet se në Tetovë për tre dekada me rradhë funksionojnë striptizet e natës dhe vizitorë janë pikërisht tetovarët se mysafirët në këto striptiz bare nuk janë jashtëtokësorë por vet tetovarët.

Natën në striptiz e ditën qytetar i ndershëm duke komentuar në rrjetet sociale kundër sportisteve me bikini.Këta jemi ne.

Pse do të duhej të ishte i pazakonshëm një eveniment i këtillë në një qytet ku shumica janë myslimanë.

Po, edhe Turqia është shtet musliman dhe është organizatore e këtyre evenimenteve madje në Tetovë kishte dy ekipe të vajzave që luajtën me bikini.

Pse çdo gjë që organizohet në Tetovë duhet të ketë interpretime të pazakonshme për ngjarje që janë të zakonshme?

Për të mos mjaftuar me kaq, kodeksi i veshjes në Tetovë që moti i tejkalon veshjet e sportistëve që ishin pjesë e turneut ballkanik në Tetovë.

Pra, mjafton të hedhësh një sy gjatë ditës në rrugët qendrore të Tetovës dhe e ke të qartë krejt.

Por, për të shitur moral në publik jemi të parët kurse në prapavijë sytë i zgurdullojmë.

As mos komentoj më shumë kodin e veshjes nëpër shkolla dhe universitete por aty nuk reagojmë dhe heshtim.

Nuk është aspekti fetar ai që e determinon orientimin e Tetovës.

Kush e ka ndarë mendjen që ta  identifikojë Tetovën si çerdhe për muslimanizëm radikal lirisht rrugën e ka të lirë drejt Iranit.

Tetova dhe pjesa dërmuese e qytetarëve të saj janë simbol i zhvillimit dhe emancipimit kurse një grusht njerëz që për arsye financiare kanë përqafuar rryma të rrezikshme fetare dhe radikale nuk përfaqësojnë identitetin kulturor, kombëtar dhe fetar tonë.

Sepse, po tu ndalet “taxhia” këtyre radikalistëve bëhen adhurues të bikineve ma shumë se ne tjerët.

Shumë gjenerata  nga Tetova që moti i kanë tejkaluar këto “komplekse” sepse kanë parë botën me sy duke punuar në shtetet e zhvilluara të Evropës.

Prandaj, jemi më musliman se vet muslimanët por jemi më evropian se vet Evropianët.

Nuk jemi aq primitiv sa dikush po mundohet të na paraqesë.

Pra, nuk është bërë nami se në Tetovë u mbajt një eveniment sportiv që fundja Tetovën e vendos në hartën e qyteteve që dijnë të organizojnë edhe volejboll në rërë pa patur afër plazh!

Shtuar këtu edhe situatën politike brenda për brenda në shtet, reagimet mund të reflektojnë edhe këtë aspekt duke shfrytëzuar fenë për motive politike.

Fundi i fundit, më pak vidhni, më pak dëmtoni veturat e parkuara dhe largoheni si qyqana, mos e padisni vëllaun për një mexhe në gjyq, se gjykata vlon nga kontestet që kanë tetovarët  me familjarët e tyre për pronat, fundja edukoni fëmijët të mësojnë dhe mos ua përmirësoni notat në fund të vitit shkollor, mos u pasuroni me djersën e huaj…mos përgojoni, mos tradhëtoni, mos uzurponi dhe jeni në rregull.

Bikinit vijnë e shkojnë por Tetova mbetet e tetovarëve të moderuar, qytetëruar dhe civilizuar.

Trending