Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton – shumë i dashur për popullin e Kosovës – ka treguar se nuk është përdorues i rregullt i postës elektronike dhe se, sipas kujtesës së tij, ka dërguar vetëm dy emaile në momente të rëndësishme.
Clinton ka kujtuar se një prej emaileve ia kishte dërguar ish-senatorit amerikan, John Glenn, kur ish-astronauti i NASA ndodhej në hapësirë në moshën 77-vjeçare.
Emaili tjetër, sipas tij, u ishte dërguar burrave dhe grave të ushtrisë së SHBA-së në bordin e një anijeje në Detin Adriatik, gjatë ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, përkatësisht gjatë bombardimeve ndaj Serbisë.
I pyetur nëse kujton të ketë dërguar ndonjëherë emaile, Clinton tha ndër të tjera:
“I dërgova një email John Glenn-it, Senatorit John Glenn, kur ishte në hapësirë në moshën 77-vjeçare. Dhe u dërgova një email burrave dhe grave në bordin e një anijeje të SHBA-së në Adriatik gjatë luftës në Kosovë. Që atëherë nuk jam i sigurt nëse kam dërguar ndonjë.”










