Trendy

Blerim Sejdiu i përgjigjet Afrim Gashit dhe Arben Fetahut: VLEN nuk u krijua për karrige!

Para 2 orë

Blerim Sejdiu, kryetar i Komunës së Zhelinë nga radhët e Lëvizja BESA, ka reaguar për zhvillimet e fundit brenda koalicionit VLEN, duke theksuar se ky projekt politik nuk është ndërtuar mbi logjikën e ndarjes së posteve, por mbi misionin për ndryshim.

Në një qëndrim publik, Sejdiu deklaron se Lëvizja BESA nuk ka hyrë në VLEN “për të numëruar karrige”, por për të ndryshuar rrjedhën e politikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, në momentin e krijimit të VLEN-it, partitë përbërëse sakrifikuan interesa të ngushta partiake dhe ulën “flamujt e egoizmit politik” për të ndërtuar një projekt më të madh se secila prej tyre.

“VLEN lindi si kompromis i fortë dhe si domosdoshmëri historike – nga nevoja për ndryshim, nga lodhja e qytetarëve me politikën e përçarjes dhe nga kërkesa për përfaqësim dinjitoz, të barabartë dhe me vizion të qartë euro-perëndimor”, thekson Sejdiu, duke shtuar se në këtë projekt është investuar kapital politik, besim dhe sakrificë.

Ai vlerëson se përballë sfidave të reja dhe tensioneve të brendshme, kërkohet pjekuri politike dhe tejkalim i egove personale. Sipas tij, koalicionet nuk ndërtohen mbi “matematikë të ngushtë përfaqësimi” dhe as nuk mbahen me ultimatume, por me filozofi të përbashkët veprimi, besim dhe përgjegjësi të ndërsjellë.

Sejdiu paralajmëron se nëse pesha politike fillon të matet vetëm me përqindje dhe pozicionime formale, atëherë rrezikohet që misioni të zëvendësohet me kalkulim afatshkurtër.

“Mandatet nuk janë pronë e partive, por besim i qytetarëve”, shprehet ai, duke theksuar se koalicionet duhet të shihen si mjet për t’i shërbyer interesit kombëtar dhe shtetformues, e jo si qëllim në vetvete.

Në fund, ai rithekson se Lëvizja BESA mbetet e përkushtuar ndaj frymës së unitetit dhe forcimit të VLEN-it, duke ftuar partnerët që të reflektojnë me përgjegjësi historike dhe të zgjedhin rrugën e vazhdimit, e jo të ndarjes.

“Qytetarët nuk na kanë dhënë mandat për përçarje, por për ndryshim”, përfundon reagimi i Sejdiut.

Trending