Kryetari i Komunës së Zhelinës dhe përfaqësues i koalicionit VLEN, Blerim Sejdiu, ka ngritur akuza të rënda ndaj Entit Shtetëror të Statistikave dhe partisë në pushtet BDI, duke i cilësuar si përgjegjëse për manipulimin e qëllimshëm të regjistrimit të popullsisë të vitit 2021.
Në një konferencë për media të mbajtur sot, Sejdiu deklaroi se regjistrimi nuk ka qenë një proces i pastër statistikor, por një projekt i dizajnuar me qëllim politik.
“Ky nuk ishte një proces statistikor. Ky ishte projekt politik, i ideuar për të zvogëluar shqiptarët në letra, për t’i fshirë nga statistikat, për t’i nxjerrë jashtë vendimmarrjes”, theksoi ai.
Sipas tij, ky proces ka pasur bashkëpunimin e ngushtë mes BDI-së dhe LSDM-së, të cilët, siç u shpreh Sejdiu, kanë qenë bashkautorë të një padrejtësie të madhe ndaj shqiptarëve.
“Është një nga padrejtësitë më të mëdha institucionale që i është bërë ndonjëherë popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut”, u shpreh Sejdiu në deklaratën e tij.
Akuzat e ngritura nga përfaqësuesi i VLEN-it pritet të hapin debat të ri publik dhe politik mbi kredibilitetin e të dhënave zyrtare dhe ndikimin e tyre në përfaqësimin institucional të shqiptarëve në vend. Deri më tani, nuk ka pasur reagim zyrtar nga Enti i Statistikave apo nga partitë e përmendura në deklaratë.










