Trendy

Boçi nga Çairi: Emërtimet shqiptare janë të pakontestueshme, Mexhiti: Kështu do të zgjidhet edhe çështja në Tetovë

Para 1 orë

Nënkryetari dhe deputeti i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Luçiano Boçi, ka qëndruar sot në Çair së bashku me njërin nga bashkëkryetarët e VLEN-it dhe kryetarin e Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ku tha se është bindur se identiteti dhe trashëgimia kombëtare shqiptare në këtë komunë ruhen dhe forcohen në mënyrë institucionale, përcjell tetova1

Në një postim në facebook, Boçi thekson se emërtimet e rrugëve, shesheve dhe lagjeve në Çair dhe Butel janë bërë në përputhje me ligjin dhe procedurat, duke shtuar se ato nuk mund të kontestohen.

Sipas tij, Mexhiti e ka siguruar se këto emërtime janë miratuar konform procedurave ligjore dhe me pëlqimin e Qeverisë, ndërsa ka shtuar se në të njëjtën mënyrë do të zgjidhet edhe çështja e emërtimeve në Tetovë dhe në vende të tjera.

Postimi i plotë i Boçit:

“Sot në Çair, në zemër të Shkupit, bashkë me njërin nga bashkëkryetarët e VLEN-it dhe kryetarin e Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, për t’u bindur se Çairi frymon shqip, se trashëgimia kombëtare dhe identiteti shqiptar jo vetëm që nuk është cënuar, por kultivohet dhe fuqizohet për çdo ditë në formë institucionale dhe me garanci shtetërore të fituar me votë.

Kur gjërat bëhen me ligj e procedurë, ato nuk mund t’i kontestojë askush.

Rrugët, sheshet dhe lagjet e Çairit e Butelit mbajnë emra veprimtarësh, ngjarjesh e personalitetesh të shquara të kombit tonë.

Dhe kryetari Mexhiti më siguroi se ato janë bërë konform procedurës dhe ligjeve, me pëlqim edhe të Qeverisë.

Prandaj ato janë të pakontestueshme, të pacenueshme dhe të parevokueshme.

Kështu do të zgjidhet edhe çështja e emërtimeve në Tetovë e gjetiu, më siguroi Izet Mexhiti.

Kur bëhet fjalë për kombin, VLEN dhe jemi 1.”, ka shkruar Boçi./tetova1.mk

Trending