Në Komunën e Bogovinës u organizua sot Debati Publik për projektin “Ndriçimi publik me llampa LED” në të gjitha vendbanimet, i cili realizohet në kuadër të programit për efikasitet energjetik dhe financohet nga Banka Botërore.
Kryetari i komunës, Feti Abazi, theksoi se ky investim është i rëndësishëm për rritjen e sigurisë së qytetarëve, uljen e shpenzimeve të buxhetit komunal dhe përmirësimin e shërbimeve publike. Ai nënvizoi se takimet me qytetarët nuk janë formalitet, por pjesë e një qeverisjeje transparente dhe me llogaridhënie, duke shtuar se Bogovina ka nevojë për investime konkrete dhe menaxhim të përgjegjshëm të buxhetit.
Gjatë debatit u trajtuan pyetjet dhe sugjerimet e banorëve, ndërsa u dakorduan hapat e radhës për zbatimin cilësor të projektit në interes të çdo vendbanimi.
Në takim morën pjesë kryesuesi i këshillit komunal, këshilltarët, kryetarët e bashkësive lokale, përfaqësues të këshillit rinor, sektorit civil dhe sportit, si dhe administrata komunale.
Projekti pritet të sjellë ndriçim modern, kursim të energjisë elektrike dhe siguri më të madhe për qytetarët e Bogovinës.










