Hamasi është pengesa kryesore për kalimin në fazën e dytë të armëpushimit në Gaza, thuhet në raportin e parë të Bordit të Paqes, e krijuar nga presidenti amerikan Donald Trump. Në raportin që do t’i paraqitet sot Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, grupimi vlerëson se shkeljet e përsëritura të armëpushimit po vazhdojnë dhe po pengojnë zbatimin e plotë të marrëveshjes.
”Në këtë fazë, pengesa kryesore për zbatimin e plotë mbetet refuzimi i Hamasit për të pranuar çarmatimin e verifikuar, për të hequr dorë nga kontrolli detyrues dhe për të lejuar një tranzicion të vërtetë civil në Gaza”, thuhet në raport. Përfaqësuesi i lartë i nismës për Gazën, Nickolay Mladenov, pritet ta prezantojë dokumentin para Këshillit të Sigurimit.
Sipas raportit, “institucionet, burimet dhe planet janë tashmë në vend për të ndërmarrë hapat e ardhshëm”, por mënyra dhe renditja e tyre do të varen nga vendimet që palët do të marrin tani.





