Trendy

Boshti ushtarak midis Rusisë dhe Iranit po forcohet: letra sekrete nga Rostec

Para 1 orë

Rusia ka rritur ndarjen e informacionit të inteligjencës me Iranin dhe po ofron imazhe satelitore si dhe teknologji të avancuara për dronë, me qëllim mbështetjen e Teheranit në përballjen me Shtetet e Bashkuara.

Boshti mes Moskës dhe Teheranit po forcohet më tej. Sergei Chemezov, drejtori ekzekutiv i Rostec, gjiganti shtetëror rus që kontrollon një pjesë të madhe të industrisë së mbrojtjes, zhvilloi ditët e fundit një takim me ambasadorin iranian në Rusi, Kazem Jalali.

Lajmi del nga një letër e brendshme, e datës 13 mars, e shpërndarë në rreth 800 kompanitë që janë pjesë e grupit Rostec dhe e siguruar ekskluzivisht nga Racket News, platforma Substack e gazetarit Matt Taibbi.

Në dokument, drejtuesit e lartë të Rostec u kërkonin kompanive të paraqisnin propozime për “zhvillimin e bashkëpunimit” me Iranin. Afati për dërgimin e ideve ishte 16 mars, në funksion të përgatitjes për takimin me ambasadorin e Republikës Islamike në Federatën Ruse. Letra konfirmon dhe zgjeron informacionet e fundit mbi intensifikimin e bashkëpunimit ushtarak dhe të inteligjencës mes dy vendeve.

Zgjerimi i bashkëpunimit ushtarak

Sipas Wall Street Journal, Rusia ka rritur ndarjen e informacionit të inteligjencës me Iranin dhe po ofron imazhe satelitore si dhe teknologji të avancuara për dronë, me qëllim mbështetjen e Teheranit në përballjen me Shtetet e Bashkuara.

I njëjti burim kishte raportuar më herët se Moska u ka treguar autoriteteve iraniane objektiva amerikane, përfshirë anije ushtarake dhe avionë. Sipas këtyre raportimeve, sulme iraniane të mbështetura nga inteligjenca ruse kanë goditur, ndër të tjera, një radar paralajmërimi të hershëm të sistemit mbrojtës THAAD në Jordani, si dhe objektiva në Bahrein, Kuvajt dhe Oman.

Letra e Rostec sugjeron se Moska nuk e sheh këtë bashkëpunim vetëm në aspekt afatshkurtër, por si pjesë e një strategjie më të gjerë për partneritet afatgjatë. Një burim anonim i cituar nga Racket News e përshkroi situatën si një përfitim të ndërsjellë për Rusinë.

Rostec dhe roli i Chemezov

Sergei Chemezov ka lidhje të hershme me presidentin rus Vladimir Putin: të dy kanë shërbyer në vitet ’80 në zyrën e KGB-së në Dresden, në Gjermaninë Lindore.

Para pushtimit të Ukrainës, Chemezov synonte ta shndërronte Rostec në një aktor global në industrinë e mbrojtjes, të krahasueshëm me kompani si Siemens apo General Electric. Grupi kishte krijuar bashkëpunime me kompani perëndimore si Renault-Nissan dhe kontrollon prodhues të mëdhenj rusë të automjeteve si Kamaz dhe AvtoVAZ.

Rostec, i themeluar me dekret qeveritar në vitin 2007, menaxhon qindra fabrika dhe institute kërkimore dhe, sipas mediave shtetërore ruse, prodhon rreth 80% të armëve që furnizojnë forcat e armatosura të Rusisë. Në vitin 2023, grupi kishte mbi 660 mijë punonjës dhe të ardhura prej 31.6 miliardë dollarësh.

Një partneritet që thellohet

Bashkëpunimi mes Rusisë dhe Iranit nuk është i ri, por po hyn në një fazë më të strukturuar. Sipas analizave të publikuara më herët, mbështetja ruse ndaj Iranit i ngjan modelit me të cilin vendet perëndimore kanë ndihmuar Ukrainën pas vitit 2022.

Ekzistojnë indikacione se sulmet iraniane ndaj objektivave ushtarake, përfshirë infrastruktura komanduese dhe radarë, kanë përfituar nga një sistem i përbashkët shkëmbimi informacioni me Rusinë.

Kjo marrëdhënie mbështetet edhe në Traktatin e Partneritetit Strategjik Gjithëpërfshirës midis dy vendeve, i nënshkruar më 17 janar 2025 nga Vladimir Putin dhe presidenti iranian Masoud Pezeshkian. Marrëveshja përfshin 47 pika dhe synon zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, zbutjen e ndikimit të sanksioneve amerikane dhe forcimin e lidhjeve ushtarake dhe politike.

Një raport i janarit 2025 nga Institute for the Study of War (ISW) thekson gjithashtu mbështetjen aktive të Rusisë për programin hapësinor dhe satelitor iranian, i cili mund të rrisë ndjeshëm kapacitetet e Teheranit në mbikëqyrje dhe goditje në distancë.

Zbulimi i Racket News, së bashku me raportimet e Wall Street Journal dhe analizat e ISW, tregojnë se marrëdhënia mes Moskës dhe Teheranit nuk është më vetëm taktike, por po konsolidohet në një partneritet strategjik afatgjatë. /Inside Over

Trending