Trendy

Brad Pitt prodhon filmin që Izraeli s’do të donte të shfaqej – ‘Zëri i Hind Rajab’ premiera në Venecia!

Para 7 muaj

Yjet e Hollywood-it, Brad Pitt dhe Joaquin Phoenix, i janë bashkuar si producentë ekzekutivë dramës së regjisores tuniziane Kaouther Ben Hania, “The Voice of Hind Rajab”, një film i vendosur në realitetin e luftës në Gaza.

Premiera botërore e filmit do të mbahet më 3 shtator në Festivalin e Filmit në Venecia, përpara se të shfaqet edhe në Toronto Film Festival.

Mes emrave të tjerë që mbështesin projektin janë regjisori fitues i Oscar-it Alfonso Cuarón, aktorja Rooney Mara, regjisori i “The Zone of Interest” Jonathan Glazer, si dhe producentët Dede Gardner dhe Jeremy Kleiner, partnerë të Pitt në kompaninë Plan B.

Filmi, i shkruar dhe drejtuar nga Ben Hania, rrëfen historinë e Hind Rajab, një vajze 6-vjeçare që mbeti e bllokuar në një makinë të goditur nga forcat izraelite në Gaza, dhe më pas u gjet e pajetë.

Ngjarja ndërtohet mbi regjistrimet e telefonatave mes saj dhe vullnetarëve të Kryqit të Kuq, të cilët përpiqen ta mbajnë në linjë ndërsa kërkojnë një ambulancë.

“Unë nuk mund të pranoj një botë ku një fëmijë thërret për ndihmë dhe askush nuk shkon. Ajo dhimbje, ajo dështim, na përket të gjithëve”, tha regjisorja Ben Hania, duke theksuar se kinemaja ka fuqinë për të ruajtur kujtesën dhe për të mos lejuar harresën.

Ben Hania është e njohur për filmat e saj të nominuar për Oscar, “Four Daughters” (2023) dhe “The Man Who Sold His Skin” (2020).

Lufta në Gaza pritet të jetë një nga temat që do të shënjojnë këtë edicion të Festivalit të Venecias, ku përveç premierës së filmit, është paralajmëruar edhe një demonstratë pro-palestineze nga aktivistë lokalë.

Trending