Tre ditë pas incidentit në ndeshjen futbollistike ndërmjet Vardarit dhe Bashkimit, ku nga tifozët “Komitët” u dëgjuan ulërima dhe thirrje antishqiptare, ka reaguar zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni.
Ai thotë se Ministria e Punëve të Brendshme ka ndjekur me vëmendje ngjarjet e ndodhura gjatë dhe pas ndeshjes, duke theksuar se dhuna dhe gjuha e urrejtjes nuk i shërbejnë as sportit dhe as shoqërisë.
“Ne kemi qenë aty me ekipet tona dhe policia ka vepruar sipas të gjitha procedurave për të siguruar rendin dhe sigurinë e tifozëve, lojtarëve dhe stafit. Tani po i verifikojmë të gjitha incidentet me kujdes. Çdo moment i regjistruar është duke u shqyrtuar. Kushdo që ka shkelur ligjin do të përballet me përgjegjësitë që parasheh ligji. Këtë e them me bindje të plotë. Sporti duhet t’i afrojë njerëzit, jo t’i ndajë. Futbolli është emocion, është pasion, por nuk mund të pranojmë që ky pasion të kthehet në nxitje urrejtjeje apo përplasje”, është shprehur Iseni.
Sipas tij, institucionet janë në komunikim të vazhdueshëm me Federatën e Futbollit dhe klubet për të garantuar zhvillimin e ndeshjeve në kushte të sigurta dhe në frymën e fair-play-it.
“Apeloj te të gjithë tifozët që ta respektojnë sportin dhe njëri-tjetrin. Institucionet do të bëjnë pjesën e tyre me profesionalizëm të plotë”, ka shtuar ai.
Megjithatë, zëvendësministri nuk ka informuar nëse deri më tani është identifikuar ndonjë nga personat që nga tribunat kërkonin vdekje për shqiptarët.





