Trendy

Brukseli i ndan 65.7 milionë euro Maqedonisë, Sali: Jemi liderë në rajon

Para 7 orë

Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, ka njoftuar se Komisioni Evropian ka miratuar lirimin e pjesës së radhës të fondeve nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, ku Maqedonia e Veriut ka përfituar shumën më të madhe krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Sipas Salit, vendi ka siguruar gjithsej 65,7 milionë euro, duke lënë pas Shqipërinë me 49 milionë euro dhe Malin e Zi me 44,2 milionë euro. Ai vlerësoi se ky është një konfirmim i qartë i progresit të Maqedonisë së Veriut në zbatimin e Agjendës Reformuese, e cila është kusht kryesor për përfitimin e fondeve nga Bashkimi Evropian.

“Lajm i madh nga Brukseli. Komisioni Evropian sapo kumtoi se ka liruar pjesën tjetër të fondeve nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Maqedonia e Veriut ka marrë pjesën më të madhe, gjithsej 65,7 milionë euro, më shumë se Shqipëria dhe Mali i Zi. Vendi ynë konfirmohet si lidere në rajon për zbatimin e Agjendës Reformuese, që është kusht për lirimin e fondeve nga BE-ja. Përtej pluhurit propagandues, punët e mira vazhdojnë!”, ka shkruar Sali në rrjetet sociale.

Ai theksoi se rezultatet e arritura dëshmojnë përkushtimin institucional në realizimin e reformave të kërkuara nga Bashkimi Evropian dhe e pozicionojnë vendin si lider rajonal në këtë proces. Ndryshe, Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është një mekanizëm i Bashkimit Evropian që synon të përshpejtojë reformat ekonomike, institucionale dhe integruese në vendet e rajonit, duke ofruar mbështetje financiare të lidhur drejtpërdrejt me përmbushjen e objektivave reformuese.

Trending