Trendy

Bulevardi “Industrial” nuk do të ndalet në Poroj, u paralajmërua vazhdimi drejt qarkores së Treboshit

Para 13 orë

Hapja e bulevardit ‘Industrial’ nga Kazerma e Tetovës deri te rrethrrotullimi me Porojin, për shumë banorë të Komunës së Tearcës dhe Jegunovcës ka hapur pyetjen nëse bulevardi do të lidhet me qarkoren e Treboshit që po ndërtohet, autoritetet premtojnë vazhdimin e rrugës por pa afat kohor.

Pas asfaltimit dhe hapjes së rrugës nga Kazerma në drejtim të fshatit Poroj, banorët e Komunës së Tearcës dhe Jegunovcës krëkojnë që rruga të vazhdojë dhe të lidhet me qarkoren e Treboshit që të del në fshatin Neproshten.

“Kjo që u hap deri në Poroj u bë shumë mirë, mendoj se do ishte mirë të vazhdojë të lidhet diku dhe të del këtu në fshatin Neproshten, do ishte lehtësim”, tha një qytetar.

“Uroj ta bëjnë, pse mos e bëjnë, duhet ta bëjnë që qarkullimi të lehtësohet përfundimisht, sidomos për ne që vijmë nga fshatrat e Tearcës në Tetovë, por edhe ata nga Kosova, të mos hyjmë nëpër kaoisin e fshatit Xhepçisht të vonohemi”, tha një tjetër qytetar.

“Nuk e di a do bëhet, dyshoj, por duhet të vazhdojë”, tha një qytetar.

Portalb.mk e pyeti kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasamin nëse ka një plan të tillë, e cila u konfirmua nga ai.

“Po, patjetër që aty kemi edhe projekt, por për shkak se i njëjti duhet të lidhet me qarkoren e Treboshit, aty njëherësh është edhe rrugë që lidh dy komuna Tetovën dhe Jegunovcën, kemi vendosur kontaktet e para me kryetarin e Komunës së Jegunovcës që ajo rrugë të jetë rrugë ndërkomunale që do ta afrojë Jegunovcën me Tetovën, pra edhe në atë drejtim po punohet”, tha Kasami.

Bulevardi Industrial që e lidh Tetovën me Porojin në rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë, u përurua më 30 dhjetor 2025

Ndërkaq, punimet për ndërtimin e qarkores së Tetovës filluan në shkurt 2024, e njëjta fillimisht ishte planifikuar të përfundonte në maj 2025, më pas u zgjat afati për në tetor 2025, por nuk përfundoi në asnjërin afat. Nga Ndërmarrja e Rrugëve Shtetërore në nëntor 2025 për Portalb.mk thanë se afati i përfundimit është zgjatur për në maj 2026.

Qarkorja planifikohet të ndërtohet nga fshati Trebosh dhe të del në fshatin Neproshten në rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë, e njëjta lidhet edhe me autostradën Tetovë-Shkup. /portalb/

 

Trending