Ka dështuar “kandidati” i VLEN-it për kryetar Komune në Butel, i cili me urdhër të VMRO-së për të përçarë votën shqiptare, u paraqit në momentin e fundit me kandidaturën e tij në KSHZ. Kështu ka informuar BDI-Dega e Butelit, ndërkohë që akuzojnë se për tre-katër ditë, VLEN-i tentoi të falsifikojë zgjedhjet në Butel me nominimin e një kandidati që nuk e plotësonte kushtin kryesor – adresën e vendbanimit të Butelit.
Bëhet fjalë për kandidatin e promovuar nga VLEN-i, Behar Emini, drejtor aktual i Fondit për Sigurimin e Depozitave, kuadër i Alternativës. Emini vjen nga Lubeteni, ndërkohë që prej kohësh ai jeton në Çair, në rrugën “Ferid Murat”, te lagja e ndërtesave te “Princi”.
Edhe pse fillimisht VLEN nuk kishte kandidat për Butel, dy ditët e fundit të afatit, koalicioni e kishte dërguar në KSHZ emrin e Eminit pëe kandidat në Butel, por me adresë vendbanimi në Çair. Të nesërmen, Emini ishte detyruar të bëj kërkesë për ndërrim vendbanimi – nga Çairi në Butel, por dokumenti iahte vonuar. KSHZ, e gjendur në pozitë të palakmueshme, fillimiaht i ishte përgjigjur negativisht kandidaturës së Eminit, që pastaj t’i jap afat 48 orë VLEN-it për ndërrim të kandidatit.
VLEN sërish e kishte nisur emrin e Eminit me adresë të re vendbanimi në Butel, por që ishte dorëzuar pak pasi kishte përfunduar afati për dorëzim të kandidaturave. Tashmë, siç merr vesh gazeta KOHA, koalicioni VLEN është ankuar në Gjykatën Administrative, ndërsa shpresojnë se Emini do të mund të garojë në Butel. Emini ka katër ditë që ka publikuar kandidaturën e tij në rrjetet sociale, ndërsa fitore të tij i ka dëshiruar me një status në Facebbok edhe kryetari i Alternativës, Zekirja Ibrahimi.
Aktualisht, përveç LSDM-së dhe VMRO-së, edhe Aleanca Kombëtare për Integrim ka kandidat për kryetar të Butelit – profesor Isamedin Azizin.





