Në Mal të Zi, çdo shofer i dytë i testuar ka rezultuar pozitiv ndaj ndonjë lloj droge, sipas të dhënave të Drejtorisë së Policisë. Shefi Ilija Janjusheviq thotë se testimet për substanca psikoaktive nuk janë të shpeshta, pasi më shumë bëhen kontrolle për praninë e alkoolit në gjak. Arsyeja për këtë, sipas Janjusheviqit, është se alkotestet janë më të thjeshta dhe më të lira, raporton RTCG.
Sipas tij, këto të dhëna janë shqetësuese dhe ai thekson se ligji parasheh vetëm dënim me burg për këtë vepër.
“Imagjinoni sa shumë janë ata që nuk janë kontrolluar fare. Ligji parasheh dënim me burg nga 15 deri në 60 ditë, dhe ne do të vazhdojmë me kontrolle të shtuara ndaj të gjithë pjesëmarrësve në trafik”, tha ai.
Edhe përdorimi i substancave psikoaktive nuk është më fenomen i izoluar, thekson sociologia Milena Jeliq Shuntiç.
“Kjo tashmë është bërë pjesë e jetës së përditshme dhe ndikon drejtpërdrejt në sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në trafik, pra të gjithë qytetarëve”, thotë ajo.
Fakti që çdo shofer i dytë i testuar është pozitiv ndaj substancave psikoaktive është pasojë e një problemi më të thellë shoqëror, sipas Jeliq Shuntiç.
“Sepse përdorimi i substancave psikoaktive në këtë formë tregon në thelb një krizë të sistemit të vlerave, mungesë të kontrollit shoqëror dhe mungesë të mekanizmave parandaluese”, thotë ajo.
“Problemi nuk është vetëm individual, por thellësisht i rrënjosur në proceset ekonomike, politike dhe kulturore nëpër të cilat po kalon Mali i Zi”, përfundoi ajo për Radion e Malit të Zi.










