Investigimi pretendon se kryeministri izraelit u paralajmërua nga udhëheqësi i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe nga Egjipti për një operacion të mundshëm të Hamasit. Zyra e Netanyahut i cilëson pretendimet “gënjeshtër absolute”.
Një investigim i gazetës izraelite Haaretz pretendon se kryeministri Benjamin Netanyahu mori paralajmërime për një operacion të madh të Hamasit përpara sulmit të 7 tetorit 2023, por informacioni nuk iu përcoll drejtuesve kryesorë të aparatit izraelit të sigurisë.
Sipas Haaretz, rreth një javë e gjysmë para sulmit, presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohamed bin Zayed, zhvilloi një telefonatë rreth 45-minutëshe me Netanyahun. Gazeta pretendon se presidenti i Emirateve shprehu shqetësim për planet e Yahya Sinwarit dhe paralajmëroi se një operacion i madh mund të shkaktonte gjakderdhje dhe destabilizim rajonal.
Sipas burimeve të cituara nga gazeta, Netanyahu u përgjigj se Hamasi mund të tentonte një operacion në Bregun Perëndimor dhe se Izraeli ishte i përgatitur për skenarë të ndryshëm.
Haaretz thotë se e bazoi investigimin në dhjetëra burime brenda dhe jashtë Izraelit, si edhe në dokumente të brendshme, korrespondencë dhe regjistrime.
Gazeta pretendon gjithashtu se paralajmërimi i mundshëm nga Emiratet nuk iu përcoll drejtuesve të Shin Bet-it, Mossadit dhe ushtrisë izraelite.
Në të njëjtën periudhë, autoritetet izraelite kishin marrë edhe sinjale të tjera për një përshkallëzim të mundshëm. Sipas investigimit, Yahya Sinwar i kishte thënë një ndërmjetësi palestinez se po përgatiste një “surprizë të madhe”, duke përdorur edhe termin arab “zilzal”, që do të thotë “tërmet”.
Informacioni iu përcoll Shin Bet-it më 15 shtator. Dy ditë më vonë, gjatë një takimi të sigurisë ku morën pjesë edhe ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Yoav Gallant, dhe përfaqësues të inteligjencës ushtarake, kreu i Shin Bet-it, Ronen Bar, paralajmëroi për mundësinë e përshkallëzimit dhe kërkoi forcimin e masave mbrojtëse në Gaza dhe Bregun Perëndimor.
Haaretz raporton se edhe kreu i inteligjencës egjiptiane, Abbas Kamel, kontaktoi Netanyahun në ditët para 7 tetorit dhe e paralajmëroi për një operacion “të pazakontë” dhe potencialisht të rrezikshëm që Hamasi mund të përgatiste.
Investigimi trajton gjithashtu kontaktet sekrete që Izraeli dhe Hamasi zhvillonin në atë periudhë për uljen e tensioneve në Gaza. Bisedimet përfshinin lehtësimin e kufizimeve, shtimin e furnizimeve, krijimin e mundësive ekonomike për palestinezët dhe një marrëveshje të mundshme për shkëmbimin e të burgosurve.
Sipas Haaretz, deri në fund të gushtit 2023 Netanyahu kishte miratuar në parim lirimin e 30 të burgosurve palestinezë, përfshirë 20 persona që vuanin dënime me burgim të përjetshëm, në këmbim të katër izraelitëve të mbajtur në Gaza. Mbledhja ministrore që duhej të miratonte marrëveshjen u shty disa herë dhe negociatat ngecën.
Më 7 tetor 2023, Hamasi ndërmori sulmin në jug të Izraelit, duke shkaktuar një krizë të rëndë sigurie dhe duke marrë peng qindra persona.
Investigimi i Haaretz ngre gjithashtu pikëpyetje për trajtimin e propozimeve për lirimin e pengjeve gjatë ditëve të para të luftës. Sipas burimeve të gazetës, pati kontakte për lirimin e disa civilëve dhe Katari ofroi ndërmjetësim, ndërsa autoritetet izraelite në atë fazë përqendruan përpjekjet te kundërpërgjigjja ushtarake ndaj Hamasit.
Zyra e kryeministrit izraelit i ka mohuar kategorikisht pretendimet e Haaretz, duke e cilësuar investigimin“një gënjeshtër absolute”. Ajo deklaron se Netanyahu nuk zhvilloi një bisedë me presidentin e Emirateve gjatë periudhës së përmendur dhe se nuk mori asnjë paralajmërim prej tij.
Edhe Ronen Bar dhe ish-shefi i Shtabit të ushtrisë izraelite, Herzl Halevi, kanë deklaruar se nuk ishin informuar për paralajmërimin që Haaretz pretendon se kishte ardhur nga presidenti i Emirateve.
Haaretz thotë se i kërkoi gjithashtu një reagim presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, por nuk mori përgjigje.











