E veçanta e kësaj nate qëndron në zbritjen e fjalës së Zotit përmes profetit Muhamed për mbarë njerëzimin. Nata e Kadrit është një natë shumë e veçantë për besimtarët myslimanë. Lutjet dhe falja në këtë ditë përcaktojnë fatin dhe mirësitë e vitit të ardhshëm.
Është bërë traditë tashmë që në këtë ditë nuk agjërojnë vetëm praktikuesit e fesë islame, por edhe njerëz të tjerë në të gjitha vendet e botës.
Zoti e veçoi dhe e ngriti këtë natë mbi të tjera edhe për faktin se në Kuran ka një sure të veçantë me këtë emër, suretul Kadër.
Ajetet e para që zbritën në këtë natë ishin ato që i dhanë vlerë shkollimit dhe diturisë, duke e përcaktuar islamin si fe që e kërkon dhe e obligon diturinë.
Zbritja e sures së parë të Kuranit u bë në shpellën Sira në këtë natë dhe ishin: “Lexo në emrin e zotit tënd, i cili krijoi çdo gjë.”
Pse emërtohet nata e Kadrit?
Kjo natë, në vetvete, ka disa kuptime dhe jo vetëm mirësitë që sjell e mbart ajo. Një ndër kuptimet themelore është që njihet si natë e madhërishme, nisur edhe përcaktimet e mëdha.
Është edhe një natë e begatë dhe me shumë mirësi. Përfitimet e saj janë të shumëfishta. Në këtë natë vendoset rrisku, begatia dhe mirësitë mbi tokë. Nisur nga sot e deri në të njëjtën natë të vitit të ardhshëm, emërtohen çështjet e njeriut mbi tokë. Është një natë që ka më pak vuajtje në të gjithë botën. Është një natë me pozitë të veçantë për mrekullitë dhe mirësitë që përmban.
Paracaktimi është një ndër kuptimet e kësaj nate. Kjo do të thotë që sonte vendoset se ç’do të ndodhë deri në vitin e ardhshëm.
Një tjetër kuptim i Natës së Kadrit është shtrëngimi, pasi bota shtrëngohet nga numri i madh i melekëve që zbresin në tokë.





