Trendy

Çfarë më tha Menduh Thaçi për vrasjen e komandant Telit

Para 1 orë

Shkruan: Xhezair Shaqiri, komandant Hoxha

Shkrimi im i fundit për fillimin e luftës së vitit 2001 në Tanushë dhe në Kalanë e Tetovës i paska prekur shumë aktivistë të PDSH-së, dhe po insistojnë që të flas për “tradhtinë e Kom Telit” me shokë, me qëllim – sipas tyre – që do të më zënë ngushtë. Jo, pasha Allahun.

Unë kam treguar vetëm të vërtetën për atë çka kam qenë dëshmitar në vitin 2001.

Sa i përket “tradhtisë së Kom Telit”, e kanë shumë lehtë: PDSH ka qenë në pushtet në atë kohë dhe le ta lusin Menduh Thaçin dhe Rafet Elmazin, i cili në kohën kur u vra Teli në Gazi Babë ka qenë zëvendësministër i Policisë, le t’i publikojnë emrat lirshëm, madje edhe nëse unë kam gisht.

Pasha Allahun, as që kam guxuar në mendje të mendoj për tradhti; prej Allahut tim, se nuk i do tradhtarët Allahu. Me krejt shqiptarët edhe mund t’i prishi punët, por me Allahun kurrë jo.

Në vitin 2005 jemi takuar me Menduh Thaçin në Kondovë, te shtëpia e Agim Krasniqit, ku ka qenë prezent edhe Matoshi dhe disa persona të tjerë, për të biseduar për zgjedhjet presidenciale, kur si kandidat ishte Branko C. Bëmë një marrëveshje, ku në shumë vende unë nuk i lashë të mbushen kutitë dhe Branko kaloi në disa vende me 0 vota. Unë i pata vënë kusht Menduhut që të më tregonte si ndodhi tradhtia dhe nga kush, pasi ai si pushtetar në atë kohë i dinte dhe i di shumë mirë kush e tradhtoi. Më pati treguar shumë pak dhe më dha fjalën se do të më tregonte në detaje, por nuk tregoi më vonë.

Mes tjerash, i pata thënë: nëse mi jep informacionet se kush ka marrë pjesë në këtë tradhti, unë do të ndihmoj në çdo cikël zgjedhor pa kushte të tjera.

Ai më tha: ka qenë një njeri brenda rrethit të Telit, nga shtëpia dhe një nga shtabi.

Tani ju të tjerët do të vërsuleni tek A.A. për ta akuzuar. Ne kemi bërë hetime për më shumë se 20 vjet dhe e dimë se kush ka qenë në atë shtëpi dhe kush ka dalë i gjallë atë natë të kobshme. E dimë edhe kur është biseduar në shtab për vrasjen time dhe të Telit, kush çka ka folur dhe kush ka qenë prezent, e vetëm ka dëgjuar pa folur asnjë fjalë.

Nuk po flas me emra, se pasha Allahun nuk keni për ta besuar edhe nëse jua them emrat dhe fjalët. Por një gjë po jua tregoj: kur personat kanë folur për vrasjen time – sepse është biseduar për këtë para vrasjes së Telit – i vetmi A.A. ka marrë fjalën dhe u ka thënë: “Djema, a jeni në vete çka po flisni? Lërini këto punë se nuk bën.” Dhe pas insistimit të personave pro vrasjeve, A.A. prapë flet dhe i thotë njërit: “Pse ti nuk dhe suksese në luftën e Kosovës, o Hoxhë? Pse ti nuk punove në fshatin tënd sa gjysma e punës që ka bërë Hoxha?” etj.

Unë mund t’ju them se ka shumë vite që s’jam parë me A.A., edhe pse kemi qenë shokë, dhe as që do të takohem ndonjëherë. Ju mund edhe të befasoheni për këtë shkrim – kush pro e kush kundër – por e keni të vështirë ta besoni të vërtetën. E unë po i shoh të respektuar nga shumica juaj ata të cilët e vranë Telin, mua dhe disa të tjerë.

Po e lë me kaq.

Le të tregojë Menduh Thaçi publikisht se si dhe kush e tradhtoi Telin. Unë, edhe pse jam tërhequr nga jeta politike, do ta përkrah PDSH-në.

Shqip, qartë e shkurt.

Trending