Takimi i presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, i zhvilluar me dyer të mbyllura në Shtëpinë e Bardhë si pjesë e një vizite të planifikuar prej kohësh, mori një ton më të ashpër ndërsa Trump kritikoi vendet evropiane, përfshirë Spanjën dhe Francën, për refuzimin e tyre për të mbështetur operacionet e SHBA-së dhe Izraelit kundër Teheranit, në një moment kur konflikti ka hyrë në një armëpushim të brishtë.
Sipas dy zyrtarëve evropianë dhe një burimi të njohur me bisedimet, presidenti amerikan e përdori takimin si një platformë për të shprehur pakënaqësinë e tij. “U bë rrëmujë. Biseda nuk ishte gjë tjetër veçse një tiradë fyerjesh”, tha një zyrtar evropian. Sipas të njëjtave burime, Trump “me sa duket kërcënoi të bënte pothuajse çdo gjë”.
Të njëjtat burime theksuan se Trump sinjalizoi se po shqyrtonte opsione për hakmarrje ndaj aleatëve, pa dhënë detaje konkrete, raportoi Politico.
Gjithashtu, sipas informacioneve nga takimi, presidenti amerikan u kërkoi aleatëve veprime konkrete për të ndihmuar në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit sa më shpejt të jetë e mundur.
Megjithatë, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë dha një version më të zbutur të bisedës, duke mohuar se Trump kishte paraqitur kërkesa specifike. “Siç tha Presidenti Trump, NATO u vu në provë dhe ata dështuan. Ai nuk ka asnjë pritje për NATO-n në këtë pikë dhe nuk i kërkoi asgjë, edhe pse është fakt se ata përfitojnë nga Ngushtica e Hormuzit shumë më tepër sesa Shtetet e Bashkuar”,deklaroi zyrtari.
Pas takimit, Trump kritikoi publikisht aleatët e NATO-s dhe riktheu në vëmendje idenë e tij për aneksimin e Groenlandës, një qëndrim që ka shkaktuar më parë reagime të forta ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, NATO ofroi një interpretim më të balancuar të zhvillimeve. Zëdhënësja e aleancës, Allison Hart, deklaroi për Politico se Rutte dhe Trump “patën një bisedë shumë të sinqertë”, duke e cilësuar atë “konstruktive” dhe duke hedhur poshtë pretendimet për përplasje të ashpra.
Edhe vetë Mark Rutte pranoi tensionet, duke deklaruar një ditë më pas: “E ndjeva zhgënjimin e tij për faktin se ai mendonte se shumë aleatë nuk ishin me të”.










