Ekipet amerikane të shpëtimit në Iran po përballen me një operacion kërkimi që përshkruhet si “rrëqethës dhe jashtëzakonisht i rrezikshëm”, ndërsa vazhdon përpjekja për të gjetur një anëtar të ekuipazhit të një avioni luftarak amerikan të rrëzuar. Raportet e para tregojnë se piloti i një avioni luftarak amerikan F-15, i rrëzuar mbi Iran, është shpëtuar – një zhvillim që, nëse konfirmohet, do të ishte pjesë e historisë së gjatë të misioneve amerikane të kërkim-shpëtimit në luftë. Ndërkohë, sipas CBS, partner i BBC-së në ShBA, operacioni i kërkimit vazhdon në thellësi të territorit iranian për një anëtar të dytë të ekuipazhit, raporton BBC.
Çka janë operacionet CSAR?
Misionet e kërkim-shpëtimit në luftime (CSAR) konsiderohen ndër operacionet më komplekse dhe më të ndjeshme ndaj kohës që përgatisin ushtritë amerikane dhe aleate. Në ShBA, njësi elitare të forcave ajrore trajnohen posaçërisht për këto misione dhe shpesh dislokohen paraprakisht pranë zonave të konfliktit.
CSAR janë operacione ushtarake që synojnë gjetjen, ndihmën dhe shpëtimin e personelit në rrezik, përfshirë pilotë të rrëzuar apo trupa të izoluar. Ndryshe nga operacionet civile të kërkim-shpëtimit, ato zhvillohen në mjedise armiqësore ose të kontestuara dhe, si në rastin e raportuar në Iran, mund të ndodhin thellë në territorin e kundërshtarit.
Zakonisht këto misione kryhen me helikopterë, të mbështetur nga avionë furnizimi me karburant dhe mjete të tjera ajrore që patrullojnë ose kryejnë sulme për mbrojtje.










