Studentët që kanë punuar në Gjermani përmes programit “Work and Travel” po marrin këto ditë njoftime nga DAP se duhet të paguajnë tatim, raportoi “Studentaria”, ndërsa lajmin e transmetoi edhe Тelma.
Sipas informacioneve, studentëve u kërkohet të dorëzojnë deklaratë elektronike tatimore (E-PDD) dhe të raportojnë të ardhurat e tyre, edhe pse ato tashmë janë tatimuar në Gjermani.
Për më tepër, atyre u kërkohet të paguajnë rreth 10% tatim mbi shumën e kthyer të tatimit që kanë marrë nga Gjermania, pasi kjo shumë është transferuar në një llogari valutore në Maqedoni. Studentët tregojnë se njoftimet u kanë ardhur si me postë, ashtu edhe elektronikisht, dhe më së shumti po preken ata që kanë bërë kthimin e tatimit nga Gjermania në një llogari në Maqedoni.
Në Gjermani, punëdhënësit mbajnë automatikisht tatimin nga paga, ndërsa punëtorët kanë të drejtë të kërkojnë kthimin e një pjese ose të gjithë shumës pas përfundimit të punës. Megjithëse RMV dhe Gjermania kanë marrëveshje për shmangien e tatimit të dyfishtë, dilema lind te trajtimi i kthimit të tatimit.
DAP e konsideron këtë kthim si “të ardhur”, edhe pse në thelb është para që janë mbajtur më parë. Nga “Studentaria” thonë se nuk është ende e qartë mbi çfarë baze po dërgohen këto kërkesa dhe pse ka interpretime të ndryshme nëpër zyrat e ndryshme të UJP-së.
Ata kanë kërkuar sqarime zyrtare nga institucioni. Sipas informacioneve aktuale, këto njoftime i kanë marrë vetëm studentët që e kanë pranuar kthimin e tatimit nga Gjermania në një llogari në Maqedoni.
Afati për dorëzimin e deklaratave tatimore është 31 mars. Ndërkohë, studentët po reagojnë me paqartësi dhe pakënaqësi, duke theksuar mungesën e udhëzimeve të qarta dhe informacionet kontradiktore nga institucionet, gjë që e bën situatën edhe më të vështirë.










