Trendy

Dasmat po kthehen në zona lufte – plumbat qorr terrorizojnë qytetarët!

Para 8 muaj

Festimet me armë në dasma dhe ahengje të ndryshme janë shndërruar në makth për banorët e vendit. Përveç dëmtimit të makinave nga plumbat qorr, plumba kanë përfunduar edhe nëpër oborre e dhoma të shtëpive.

Një tjetër plumb i shkrepur në dasmë, përfundoi vetëm gjysmë metër nga vendi ku luanin disa fëmijë. Ngjarje të tilla mbushin buletinet e policisë pothuajse në çdo qytet.

“Vetëm gjatë ditës së djeshme, raportojnë nga Sektori i Punëve të Brendshme të Tetovës, ka pasur tre raste ku plumbat e padestinuar apo plumbat qorr siç i quan populli, kanë përfunduar nëpër makina të banorëve”, raporton Bashkim Sulejmani, gazetar.

Por, edhe përkundër aktivitetit të shtuar të policisë për kapjen e atyre që gjuajnë nëpër dasma, ky fenomen sa vjen e rritet, thonë në sektorin e Punëve të brendshme të Tetovës.

“Në SPB Tetovë, janë regjistruar gjithsej tetë raste të dëmtimeve të automjeteve nga plumbat e padestinuar si dhe dy tarraca. Pra numri i përgjithshëm i regjistruar në SPB është tetë, nga të cilat pesë automjete të dëmtuara dy tarraca dhe një plumb që ka mbaruar në oborrin e një shtëpie. Këto raste regjistrohen si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, të dënueshme sipas nenit 288 të kodit Penal. Gjatë kësaj periudhë janë regjistruar edhe tre raste, dy në Tetovë një në Gostivar, për prishje të qetësisë dhe rendit publik, me aktivizim të pa autorizuar të fishekzjarrëve dhe gjuajtjes me armë zjarri. Ndaj organizatorëve janë përgatitur parashtresa përkatëse”, deklaroi Fatmir Rexhepi, Zëdhënës i SPB Tetovë.

Të shtënat me armë zjarri përbëjnë vepër penale si ,,shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” për të cilin është paraparë dënim me burg prej një deri në pesë vjet sipas nenit 288 i Kodit Penal. Gjuajtjet me armë zjarri në dasma kanë qenë edhe fatale. Rast i tillë ishte ai i dy viteve më parë kur nga të shtënat në një gëzim familjar plumbi qorr i shkaktoi plagë vdekjeprurëse trajnerit të Shkëndijës së Haraçinës, Mervan Iljazi. Ndërsa raste të tjera të plagosjes kanë qenë më të shpeshta. Një ndër ta ishte dasma në Tetovë vite më parë kur dy persona mbetën të lënduar rëndë. Aso kohë autoritetet ngrenë dyshimet për përfshirjen e ish zyrtarit të BDI-së Xhevat Ademi në të shtënat festive. /Alsat.mk

Trending