Trendy

Daut Haradinaj heq dorë nga mandati i deputetit: Vendin ua lë të tjerëve në listën tonë fantastike

Para 1 orë

Pas publikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare, kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka njoftuar se nuk do ta marrë mandatin e deputetit, duke deklaruar se vendin e tij do t’ua lëshojë kandidatëve të tjerë nga lista e partisë. Në një mesazh falënderues drejtuar bashkëluftëtarëve dhe mbështetësve, ai tha se ndihet i përmbushur me besimin e marrë, duke theksuar se do të mbetet gjithmonë pjesë e Aleancës dhe në shërbim të qytetarëve. Ai po ashtu uroi Ardian Gjinin, për të cilin tha se ia kishte borxh moral këtë betejë politike.

Reagimi i plotë:

Të nderuar bashkëluftëtarë,

Fjalën e dhënë e mbajta dhe gjithmonë do të jem krah jush!

E kam pasur obligim moral që këtë betejë t’ia dhuroj shpërblimin Ardian Gjinit. Ndihem sinqerisht i përmbushur dhe falënderues ndaj të gjithë atyre që më besuan, dhe do t’ju besoj gjithmonë.

Krenar me ju që luftuat si spartanë.

Jam dhe do të jem gjithmonë Aleancë, por mandatin si deputet kësaj radhe e le për t’ju lëshuar vend të tjerve në listën tonë fantastike. Jam për dhe me popullin, mandati është vlerë dhe respekt i jashtëzakonshëm, por jo qëllimi im i vetëm. Bashkë, pas dhe me ju Aleancë.

Urime Ardian Gjini, krenohemi me ty.

Veçanërisht krenar me ju që më besuat.

Trending