Daut Memishi ka pranuar sot zyrtarisht detyrën si kryetar i ri i Komunës së Tearcës. Lajmin e ka bërë të ditur vetë ai përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ku ka shprehur mirënjohje dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie ndaj qytetarëve që i besuan drejtimin e komunës, transmeton tetova1.
“Me shumë përgjegjësi dhe mirënjohje mora sot detyrën si kryetar i ri i Komunës së Tearcës. Besimin që na e dhanë qytetarët do ta arsyetojmë me shumë punë dhe përkushtim për komunën tonë”, ka shkruar Memishi.
Ai theksoi se mandati i tij do të karakterizohet nga transparenca, drejtësia dhe përfshirja e të gjithë qytetarëve, pavarësisht bindjeve të tyre politike.
“Prej sot fillojmë punën për një Tearcë të re, të hapur, të drejtë dhe të barabartë për të gjithë. Qytetarët na votuan për ndryshim dhe këtë ndryshim do ta sjellim bashkë, duke dëgjuar hallet e tyre dhe duke u përkujdesur për dertet e tyre. Dalshim faqebardhë!”, shtoi ai.
Ceremonia e pranim-dorëzimit të detyrës u mbajt në ambientet e komunës, në prani të përfaqësuesve institucionalë dhe qytetarëve të Tearcës./tetova1/










