Zëvendësdrejtori i Doganave, Mustafa Dauti, ka reaguar me një deklaratë të ashpër ndaj kritikave dhe akuzave që i janë bërë nga kundërshtarët politikë, duke i cilësuar si shpifje dhe ofendime të pavërteta.
Dauti tha se, ndryshe nga oponentët e tij që merren me gjuhë fyese, ai dhe ekipi i tij punojnë me fakte dhe rezultate konkrete. Ai nënvizoi se vula e Doganës është në dy gjuhë dhe se kjo është një arritje për shqiptarët në vend, jo një problem.
“Merruni ju me shpifje dhe ofendime, ne merremi me punë konkrete dhe me fakte. Ne dijmë të përdorim edhe gjuhën tuaj ofenduese, por nuk e kemi zgjedhur atë mënyrë komunikimi – ne përfaqësojmë shqiptarët me dinjitet dhe vendosmëri”, shkroi Dauti.
Ai theksoi se institucionet nuk menaxhohen me “sharje e banalitet”, por me “dije dhe guxim”, duke u shprehur se tashmë shqiptarët kanë në dorë vulën, firmën dhe dinjitetin.
Sipas tij, kritikat që po i bëhen nuk kanë të bëjnë me gjuhën në vula, por me faktin që ato vula nuk përdoren më për favore partiake apo grupore, siç ndodhte në të kaluarën.
“BDI dhe hyzmetqarët e tyre nuk e kanë hallin e gjuhës në vula. Halli i tyre është se vulat e Doganës nuk përdoren më për favore grupore e partiake, por qëndrojnë në duar të një shqiptari që vepron me ligj dhe përgjegjësi”, shtoi ai.
Dauti kujtoi se në të kaluarën pozitat në Doganë janë përdorur për të ushtruar presion ndaj shqiptarëve, shpesh edhe nga shqiptarë të vetë-emëruar në ato pozita, ndërsa sot ai garanton se askush nuk përballet me diskriminim apo trysni të tillë.
“Që nga dita që unë kam marrë këtë detyrë, nuk ka pasur asnjë rast kur ndonjë i punësuar në Doganë të ndjejë presion apo diskriminim të kësaj natyre. Ky është ndryshimi në vepër, jo vetëm në fjalë.”
Në fund, Dauti paralajmëroi se ndryshimi do të vazhdojë edhe në pushtetin lokal, duke u shprehur me tone ironike se oponentët e tij do të duhet të mësohen me rolin e opozitës.










