Të nënshtruar thellë politikisht, pritët dhe pritni, çfarë do të thotë Mickoski. E keni pru punën, pritni:
E hoqët balancuesin dhe të drejtën për vetëdeklarim të përkatësisë etnike, ndërsa Ligji për përfaqësim të drejtë nuk është askund.
Fshitë nga statistikat mërgatën – popullsinë jorezidente për llogaritjen e përqindjes së punësimeve dhe ndarjen e parasë publike. Nuk u larguat atëherë, pse të largoheni tani?
Propozim-ligjet i sollët në Kuvend vetëm në gjuhën maqedonase. I dëgjuat reagimet, nuk u tërhoqët. Pse të tërhiqeni tani?
I sollët Stoilkoviçin dhe Bogoevskin në krye të institucioneve. Tani ju vjen inat të largoheni vetë? Pritni.
Nuk u larguat as atëherë kur e dërguat në seancë plenare Ligjin për branitellat, edhe pse kishit premtuar publikisht se nuk do të ktheheshit pas. U kthyet. Pse të largoheni tani?
E larguat vendin nga rruga drejt Bashkimit Evropian. Hëngrët fjalët tuaja atëherë, hajini edhe tani.
Në vend që të mbyllni kazinot, vetëm i bëtë me pronarë të rinj. Pritni, fitimi do t’ju vijë.
Larguat drejtorët ekonomikë, ku 70% ishin shqiptarë dhe humbët shumë pozita të tjera. E bëtë për të dëshmuar besnikëri ndaj tij. Prandaj, domosdo duhet të pritni.
Edhe për çfarë keni përzier aty nga parkingu… prapë, pritni.
Dhe përtej të gjithave, pak rëndësi ka ku jeni, sepse e keni dëshmuar me veprat tuaja të mbrapshta kush jeni – kudo që të jeni.
Prandaj, dëshironi rrini, dëshironi dilni.
Vetëm ju lutem, mos thoni më se e bëni për popullin. Sepse, me gjasë, nuk po flasim për të njëjtin popull” – shkruan Ilire Dauti.










