Trendy

Dega e BDI-së në Tetovë mban mbledhje-nuk do të tërhiqemi, do të përballeni me reagimin e qytetarëve

Para 1 orë

Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Tetovë ka zhvilluar një mbledhje me strukturat partiake pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për abrogimin e vendimit mbi emërtimin e rrugëve në Tetovë. Kryetari i degës së BDI-së në Tetovë, Bajram Rexhepi, ka reaguar përmes një postimi publik, duke e cilësuar vendimin si skandaloz dhe duke shprehur shqetësim për, siç thotë ai, heshtjen e udhëheqësisë komunale, përcjell tetova1

Sipas Rexhepit, në takim janë diskutuar hapat e ardhshëm që duhet të ndërmerren për mbrojtjen e, siç thekson ai, dinjitetit, historisë dhe identitetit të qytetit.

Në postim e tij, Rexhepi shkruan:

“Sonte zhvilluam takim me strukturat partiake të Bashkimit Demokratik për Integrim – Dega Tetovë, pas vendimit skandaloz të Gjykatës Kushtetuese për abrogimin e vendimit mbi emërtimin e rrugëve në Tetovë dhe përballë heshtjes së papranueshme të udhëheqësisë komunale, që na bën të dyshojmë se edhe ata janë bashkëautorët e këtij skenari të zi për Tetovën.

Diskutuam hapat që duhet t’i ndërmarrim, sepse si forca më e organizuar politike e shqiptarëve kemi obligim të mbrojmë dinjitetin, historinë dhe identitetin e qytetit tonë.

Ky vendim nuk është i rastësishëm. Është një provë për të matur reagimin e shqiptarëve dhe paralajmërim se mund të përgatiten skenarë edhe më të rrezikshëm kundër të drejtave të fituara me shumë sakrificë.

BDI – Dega Tetovë nuk do të heshtë dhe nuk do të tërhiqet. Tetova nuk do të kthehet pas. Ata që tentojnë të prekin dinjitetin dhe historinë e saj, do të përballen me reagimin e qytetarëve dhe me të vërtetën.”, ka shkruar Rexhepi./tetova1.mk

Trending