Një deklaratë e akademikes greke Helene Glykatzi-Ahrweiler është rikthyer sërish në vëmendje në rrjetet sociale shqiptare, duke nxitur diskutime dhe reagime të shumta mbi historinë e rajonit dhe rolin e shqiptarëve në Greqi.
Videoja, e cila po qarkullon gjerësisht ditët e fundit, përmban një intervistë ku ajo shprehet se në vitin 1831 në Athinë kishte rreth 8000 shtëpi dhe, sipas saj, shumica prej tyre u përkisnin shqiptarëve. Ky pretendim ka ngjallur interes dhe debat të madh në hapësirën online shqiptare.
Në të njëjtën deklaratë, ajo përmend edhe figurën historike Marko Boçari (grek.Botsaris), duke theksuar se ai ka hartuar një fjalor të hershëm shqip-greqisht dhe se shumë nga luftëtarët e tij kishin origjinë shqiptare.
Rishpërndarja e kësaj videoje ka rikthyer diskutime të hershme mbi ndikimin e shqiptarëve në historinë e Greqi, duke sjellë interpretime të ndryshme mes përdoruesve të rrjeteve sociale. Ndërsa disa e shohin si një konfirmim të pranisë së fortë shqiptare në rajon gjatë shekujve të kaluar, të tjerë kërkojnë verifikim më të thelluar historik dhe kontekstual të deklaratave.
Deri më tani, videoja vazhdon të shpërndahet dhe të komentohet gjerësisht, duke e mbajtur debatin aktiv në platformat sociale shqiptare.









