Trendy

Dekodimi i qëndrimit të Kryetares: Jo pengesë por, uniformitet

Para 2 orë

Nga Prof. Dr. sc. Jeton Shasivari

Shumë studentë nënshkrues të peticionit për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe më kontaktuan me kërkesën që t’i bëj një recension profesional deklaratës publike të Kryetares së Republikës, prof. dr. sc. Siljanovska-Davkova e cila është edhe profesoreshë e etabluar e së drejtës kushtetuese dhe e sistemit politik në vendin tonë dhe më gjerë.

Prandaj, me kërkesë të studentëve por edhe si recensues i tekstit të saj universitar: Vetëqeverisja lokale (v. 2020), në ko-autorësi me kolegë të tjerë të Fakultetit juridik të UKIM-Shkup, dua të potencoj se, bazuar në deklaratën e dhënë, nuk mund të thuhet se Kryetarja është kategorikisht kundër dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, por shpreh rezerva juridike dhe strukturore që i japin qëndrimit të saj një ton më shumë paralajmërues se sa tërësisht pengues.

Me rëndësi është se Kryetarja lë një hapësirë për dialog konstruktiv profesional mbi këtë çështje duke nënvizuar disa parakushte juridike dhe funksionale.
Qëndrimi i saj është për uniformitet sepse është kategorikisht kundër komisioneve të ndara për dhënien e provimit të jurisprudencës sipas gjuhës, për shembull, një për maqedonasit dhe një për shqiptarët, sepse i jep përparësi sistemit unik të gjyqësisë gjë që e ndërlidh me standardet e gjuhës juridike e cila duhet të jetë e saktë, e caktuar dhe precize sepse ka frikë se ndarja e procesit mund të çojë në një cilësi më të ulët të vendimeve gjyqësore nëse nuk trajtohet brenda një kuadri të vetëm.

Kryetarja megjithatë, e pranon përdorimin e gjuhës shqipe, por thekson se nëse procedurat, vendimet dhe nismat gjyqësore janë në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj, atëherë kandidati duhet të ketë aftësi funksionale në atë gjuhë për të vepruar si gjyqtar, prokuror publik ose avokat i ardhshëm.

Kur deklaron se po “përmbahet nga një qëndrim përfundimtar”, në fakt ajo, absolutisht nuk është kundër gjuhës shqipe, por, e vë në dyshim metodën e zbatimit praktik sepse tregon mirëkuptim për “përdorimin e gjuhëve të tjera”, duke i pranuar të drejtat kushtetuese dhe ligjore të komuniteteve joshumicë sepse i përmend dispozitat kushtetuese që rrjedhin nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit (e cila tashmë gjendet edhe në Preambulën kushtetuese), që garantojnë të drejtën e përkthimit në procedurat gjyqësore.

Kur e përmend nenin 1 paragrafi 2 të Ligjit të përdorimit të gjuhës maqedonase (i miratuar në janar të v. 2024) ku thuhet se, përdorimi i gjuhës maqedonase si gjuhë zyrtare është e drejtë dhe detyrë e qytetarëve të Maqedonisë, duhet thënë se, kjo dispozitë ligjore, nuk përbën pengesë për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, sidomos për shkak të detyrimeve ndërkombëtare të Maqedonisë sipas konventave dhe standardeve ndërkombëtare të ratifikuara që parandalojnë diskriminimin gjuhësor, institucional dhe profesional të komuniteteve joshumicë.

Pra, Kryetarja Siljanovska-Davkova absolutisht nuk është kundër përdorimit të gjuhës shqipe në kontekstin e provimit të jurisprudencës, por është kategorikisht kundër një sistemi paralel dhe të veçantë provimi dhe pozicioni i saj është ai i një profesoreshe të së drejtës kushtetuese që i jep përparësi një gjyqësori të unifikuar dhe të standardizuar.

Ajo lë hapësirë ​​për një zgjidhje që, sipas saj, siguron akses gjuhësor (me shumë mundësi nëpërmjet përkthimit ose komisioneve të integruara) por, pa e kompromentuar unitetin e gjyqësorit.
Pra, shqetësimi i profesoreshës Siljanovska-Davkova assesi nuk është për vetë gjuhën shqipe por për, integritetin strukturor të gjyqësorit në vendin tonë.

(Autori është profesor universitar i së drejtës kushtetuese në UEJL)

Trending