Trendy

Demë Shehu nga burgu: Nëse në 2015-tën nuk kishte nevojë për qëndresë, pse sot ka nevojë për protesta në Shkup?

Para 1 orë

Demë Shehu, ish-ushtar i UÇK-së dhe i dënuar me burgim të përjetshëm në rastin e “Grupit të Kumanovës”, ka publikuar një reagim të gjatë lidhur me protestat e fundit në Shkup, duke kritikuar ata që, sipas tij, në vitin 2015 mohonin nevojën për qëndresë, ndërsa sot protestojnë për të njëjtat padrejtësi, përcjell tetova1

Në statusin e tij, Shehu shkruan se shumë prej çështjeve që po ngrihen sot publikisht ishin ngritur si alarm kombëtar edhe nga grupi i vitit 2015, por atëherë, sipas tij, ishin sulmuar, përçmuar dhe etiketuar.

Ai kujton bashkëluftëtarët e vrarë, të cilët i quan “bijtë më të devotshëm të kombit”, duke thënë se ata dhanë jetën për dinjitetin dhe të drejtat e shqiptarëve. Sipas Shehut, sakrifica e tyre nuk ishte për interesa personale apo privilegje politike, por për një ideal kombëtar.

Në reagim, ai akuzon kundërshtarët dhe disa media për propagandë dhe shpifje ndaj tyre, duke shtuar se ai dhe bashkëluftëtarët e tij janë përballur me burgosje, përndjekje dhe vite të tëra larg familjeve për shkak të bindjeve të tyre.

“Na e burgosin trupin, por kurrë nuk do të mund ta burgosin idealin tonë”, shkruan Shehu, duke theksuar se edhe nga burgu vazhdojnë ta mbrojnë, siç thotë ai, kauzën për të drejtat e shqiptarëve.

Në fund të reagimit, Shehu e cilëson kauzën e vitit 2015 si “thirrje për dinjitet, barazi dhe rilindje të shpresës shqiptare”, duke shtuar se koha po dëshmon se ajo ishte “e drejtë dhe historikisht e domosdoshme”./tetova1.mk

Screenshot
Screenshot
Screenshot

Trending