Në secilën paraqitje kur flet presidenti serb, Aleksandër Vuçiç shprehet i rezervuar për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Deputeti gjerman, Thomas Hacker thotë se duhet të pritet pas zgjedhjeve nëse Vuçiç e ka seriozisht se nuk do t’i respektojë marrëveshjet e dala nga dialogu.
Hacker, konsideron se vetëm përmes një dialogu të sinqerte mund të ketë siguri në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Politikani gjerman, thotë se historia e Gjermanisë mund të shërbejë si shembull i mirë për Kosovën si dhe për Serbinë.
Tutje, deputeti nga Freedom Democratic Party, konsideron se ka ardhur koha që t’i hiqen masat ndëshkuese Kosovës.
“Nëse Kosova dhe Serbia e kanë ndërmend që një ditë të bëhen pjesë e familjes evropiane, atëherë duhet ta dinë se kjo arrihet vetëm përmes komunikimit dhe normalizimit të marrëdhënieve. Rasti i Gjermanisë është një shembull i mirë, ishte një vend i ndarë në dy shtete dhe morri shumë kohë derisa filluam të kishim një komunikim normal, por ne në fund u bashkuam sërish. Të dyja shtetet duhet të jenë ta barabarta dhe të punojnë sa më shumë për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Shpresoj që së shpejti do të largohen edhe masat ndëshkuese për Kosovën sepse me të vërtetë nuk kanë më kuptim, dhe të fillohet me zbatimin e planit franko-gjerman”, është shprehur ai për Tëvë1.
Nga Bashkimi Evropian e kanë përsëritur edhe njëherë se Marrëveshja dhe aneksi i Ohrit janë ligjërisht obliguese për Kosovën edhe Serbinë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshjen në Ohër, dhe ka deklaruar se Serbia ka vija të kuqe për disa nga pikat e marrëveshjes.










