Deri në 200 kontrolle në ditë në Klinikën e Fëmijëve për shkak të virozave. Më të prekur janë foshnjat. Sipas kësaj Klinike virozat janë bërë më agresive, sidomos ato që prekin sistemin e frymëmarrjes.
“Në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve gjatë ditës së sotshme kishte vizitorë të shumtë. Virozat dhe sëmundjet tjera ishin shkaqet më të shumta për fluksin e shtuar të pacientëve”, raporton Linda Ebibi.
Brenda 24 orëve në Klinikën e Fëmijëve 150 deri në 200 pacientë kërkojnë ndihmë mjekësore, ndërsa më të ndjeshëm ndaj virozëve për shkak të sistemit të tyre imunitar janë foshnjat, për të cilët në shumicën e rasteve është e nevojshme shtrimi në spital.
“Në këtë periudhë të vitit kemi parë shtim të rasteve të virozave, të cilat kanë çuar shumë pacientë të paraqiten për kontroll në Klinikën Universitare për Sëmundje të Fëmijëve. Virozat, sidomos ato që prekin sistemin respirator, janë bërë më agresive dhe po përhapen me ritme të shpejta, me simptoma : temperaturë e lart, kollitje, lodhje dhe humbje oreksi, dhimbje muskujsh ,probleme me frymëmarrjen , përfshirë këtu edhe simptomat e sistemit gastrointestinal (diarre dhe të vjella)”, thonë nga Klinika për Sëmundje të Fëmijëve.
Nga Klinika bëjnë apel që të respektohen masat preventive për të mbrojtur veten dhe të tjerët, ndërsa thonë se i gjithë personeli mjekësor po punon pa ndërprerje. /Alsat.mk