Tensionet në Lindjen e Mesme mbeten të larta, ndërsa përplasja mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit vazhdon pa një zgjidhje të afërt.
Situata është përqendruar veçanërisht në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë, ku Irani ka shtuar praninë dhe kontrollin.
Përpjekjet për të ulur tensionet nuk kanë dhënë rezultat. Raundi i parë i bisedimeve mes SHBA-së dhe Iranit nuk solli marrëveshje, ndërsa nga pala iraniane pranohet se ka ende dallime të mëdha, sidomos për çështjet bërthamore dhe kontrollin e ngushticës.
Edhe pse flitet për disa hapa përpara, një marrëveshje duket ende larg.
Ndërkohë, në SHBA po shtohet shqetësimi për zhvillimet e fundit.
Presidenti Donald Trump ka reaguar në rrjetet sociale duke e cilësuar Izraelin si një nga aleatët më të fortë të Amerikës, duke vlerësuar qëndrimin e tij në këtë situatë.
Situata është diskutuar edhe në Shtëpinë e Bardhë, ku është zhvilluar një takim urgjent për të analizuar hapat e ardhshëm, si për negociatat ashtu edhe për zhvillimet në terren. Sipas burimeve amerikane, nëse nuk ka përparim në bisedime, ekziston rreziku që përplasja të rikthehet sërish në konflikt të hapur.










