Trendy

Detaje nga kontrabanda e botoksit në Maqedoni: 14 të arrestuar, 19 persona dhe 6 subjekte juridike nën hetim, u sekuestruan para dhe mallra

Para 1 orë

Në Maqedoninë e Veriut janë arrestuar14 persona mes të cilëve edhe mjekë nga ISHP “8 Shtatori” dhe Klinika Universitare e Dermatologjisë. Ata dyshohen për kontrabandim të produkteve mjekësore që përdoren në ndërhyrje estetike. Nën hetim janë 19 persona dhe 6 subjekte juridike, shkruan Portalb.mk.

Raporti i Prokurorisë Publike

Si rezultat i një hetimi disa mujor dhe të detajuar, nën drejtimin e një prokurori publik nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Njësia për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë realizoi aksion të koordinuar dhe të gjerë për shpërbërjen e një grupi të organizuar kriminal.

Në kuadër të aksionit, mbi bazën e urdhrave gjyqësorë të siguruar më parë nga Gjykata Themelore Penale, janë kryer kontrolle në disa lokacione në Shkup, Strumicë dhe Manastir.

Janë arrestuar 14 persona, mes tyre edhe mjekë nga ISHP “8 Shtatori” dhe Klinika Universitare e Dermatologjisë – Shkup, si dhe pronarë të ordinancave private dermatologjike dhe persona që organizonin transportin dhe shpërndarjen e barnave dhe pajisjeve mjekësore të futura ilegalisht”, thonë nga Prokuroria Publike.

Duke vepruar sipas kallëzimit penal të paraqitur nga Njësia për Krim Financiar e Sektorit për Hetime Kriminalistike, prokurori publik ka nxjerrë urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj 19 personave.

“Ekziston dyshim i bazuar se ata janë të përfshirë në veprat penale “bashkim kriminal”, “shkelje të të drejtave nga pronësia industriale dhe përdorim i paautorizuar i firmës së huaj” si dhe “marrje ryshfeti”. Kallëzimi përfshin edhe gjashtë persona juridikë”, thonë ngaProkuroria Publike.

Gjatë vitit 2026, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm, shtatë të dyshuar kanë formuar dy grupe kriminale, të cilave më vonë u janë bashkuar edhe të tjerët, duke përdorur kompani nga Manastiri dhe Shkupi si mbulesë për aktivitetet e paligjshme. Grupet kanë siguruar në mënyrë të organizuar barna dhe pajisje mjekësore të falsifikuara (përfshirë botoks) nga Serbia, Koreja dhe Turqia, të cilat i kanë futur ilegalisht në vend me qëllim magazinimin, shpërndarjen, shitjen dhe përdorimin te persona të tretë.

“Një pjesë e të dyshuarve, edhe pse ishin të vetëdijshëm se bëhej fjalë për produkte që nuk ishin importuar sipas ligjit dhe pa miratim, udhëzim apo deklaratë nga MALMED, megjithatë kanë kryer ndërhyrje estetike, duke rrezikuar drejtpërdrejt shëndetin dhe jetën e qytetarëve dhe duke shkaktuar rrezik serioz publik”, thotë Prokuroria.

Në kuadër të hetimit, i dyshuar është edhe një zyrtar doganor, i cili me qëllim përfitimi të kundërligjshëm, në dy raste ka marrë ryshfet për të lejuar hyrjen e mallrave ilegale në vend pa kontrollin e detyrueshëm doganor.

Hetimi përfshin edhe të afërm të disa prej të dyshuarve, të cilët, edhe pse në dijeni për aktivitetet ilegale, kanë marrë pjesë aktive në pranimin, magazinimin dhe ruajtjen e barnave dhe pajisjeve mjekësore në banesat e tyre.

Prokurori publik, duke vlerësuar të gjitha rrethanat dhe peshën e veprave penale, ka konstatuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për 12 të dyshuar dhe gjatë ditës së sotme do të dorëzojë propozim për këtë masë te gjyqtari i procedurës paraprake.

Për pesë të dyshuarit e tjerë do të propozohen masa të tjera për sigurimin e pranisë së tyre.

Kontrabandë botoksi në RMV. Foto: MPB
Kontrabandë botoksi në RMV. Foto: MPB

Raporti i Ministrisë së Brendshme

Ministria e Punëve të Brendshme ka dhënë detaje rreth personave të arrestuar në këtë rast. 

Nga aty thonë se gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar sasi më e madhe e barnave dhe pajisjeve mjekësore (fillerë, botoks, acid hialuronik), 39.285 euro, 2.490 franga zvicerane dhe 26.000 denarë, një automjet i tipit “Porsche”, sasi e madhe parfumesh, telefona celularë, lëndë bimore dhe të tjera. 

Sot, Njësia për Krim Financiar e Sektorit për Hetime Kriminalistike në Departamentin për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë dorëzoi kallëzim penal në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kundër 19 personave fizikë dhe gjashtë personave juridikë, edhe atë: kundër N.A. (43), S.K. (46), A.K. (41), M.Gj. (47), Gj.S. (32), S.M.S. (31) dhe V.S. (49) për veprat penale “shkelje e të drejtave nga pronësia industriale dhe përdorim i paautorizuar i firmës së huaj” (neni 285 paragrafi 5 në lidhje me paragrafët 1 dhe 2 të Kodit Penal) dhe “bashkim kriminal” (neni 394 paragrafi 1 i Kodit Penal); kundër V.A. (61), R.T.Gj. (53) – bashkëpronare e një personi juridik nga Shkupi, N.K. (42) – e punësuar si mjeke në ISHP “8 Shtatori”, A.K. (45) – i punësuar si mjek në ISHP “8 Shtatori”, D.F. (44) – i punësuar në ISHP “Klinika Universitare e Dermatologjisë Shkup”, M.I.V. (38) – e punësuar si mjeke në ISHP “8 Shtatori”, A.T. (27), S.F. (36) – menaxher i një personi juridik nga Shkupi, K.A. (53) – menaxher i një personi juridik nga Manastiri, O.D. (65) – menaxher i një personi juridik nga Shkupi dhe S.A. (40) – menaxher i një personi juridik nga Shkupi për veprat penale “shkelje e të drejtave nga pronësia industriale dhe përdorim i paautorizuar i firmës së huaj” (neni 285 paragrafi 5 në lidhje me paragrafët 1 dhe 2) në lidhje me nenin 22 “bashkëkryerje” dhe “bashkim kriminal” (neni 394 paragrafi 2) të Kodit Penal; A.M. (38) për veprat “marrje ryshfeti” (neni 357), “bashkim kriminal” (neni 394 paragrafi 2) dhe “shkelje e të drejtave nga pronësia industriale dhe përdorim i paautorizuar i firmës së huaj” (neni 285 paragrafi 5 në lidhje me paragrafët 1 dhe 2) në lidhje me nenin 22 “bashkëkryerje” të Kodit Penal; si dhe kundër pesë personave juridikë nga Shkupi dhe një nga Manastiri për veprën “shkelje e të drejtave nga pronësia industriale dhe përdorim i paautorizuar i firmës së huaj” (neni 285 paragrafi 6 në lidhje me paragrafët 1 dhe 2) të Kodit Penal. 

Gjatë vitit 2026, të raportuarit N.A., S.K., A.K. dhe M.Gj. kanë krijuar një bashkim kriminal me fushë veprimi në Shkup dhe rrethinë, të cilit më pas iu janë bashkuar V.A., A.M., R.T.Gj., duke përdorur një person juridik nga Shkupi, ndërsa të raportuarit Gj.S., S.M.S. dhe V.S. kanë organizuar një bashkim tjetër kriminal me fushë veprimi në Shkup dhe Maqedoninë Lindore, të cilit më pas iu janë bashkuar N.K., A.K., D.F., M.I.V., A.T., S.F., K.A., O.D., duke përdorur persona juridikë nga Manastiri dhe Shkupi. Me qëllim përfitimi të kundërligjshëm në përmasa të mëdha, ata kanë siguruar barna dhe pajisje mjekësore të falsifikuara (botoks). 

I raportuari A.M., në cilësinë e nëpunësit doganor, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm për vete dhe për t’u ndihmuar organizatorëve, ka pranuar ryshfet në dy raste për të kryer një veprim zyrtar që nuk duhej ta kryente, përkatësisht ka mundësuar hyrjen e mallrave ilegale pa u kryer kontrolli doganor për dy pako me barna.

Kontrabandë botoksi në RMV. Foto: MPB
Kontrabandë botoksi në RMV. Foto: MPB

Reagimi i Ministrisë së Shëndetësisë

Ministria e Shëndetësisë  reagoi për rastin duke thënë se çdo veprim në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe standardet mjekësore do të jetë subjekt i procedurave përkatëse institucionale, në bashkëpunim me organet kompetente.

“Siguria e pacientëve dhe cilësia e shërbimeve shëndetësore janë prioriteti ynë kryesor. Pjesa më e madhe e punonjësve shëndetësorë e kryejnë punën e tyre me ndershmëri, përkushtim dhe profesionalizëm. Apelojmë që të respektohen në mënyrë konsekuente normat profesionale dhe etike. Apel për qytetarët është që të përdorin shërbime vetëm nga ofrues të autorizuar dhe të licencuar të kujdesit shëndetësor. Njëkohësisht, rikujtojmë parimin e prezumimit të pafajësisë”, thekson ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Trending