Maqedonia ka nisur procesin e harmonizimit me rregullat evropiane për heqjen e tarifave të roamingut në vendet e Bashkimit Evropian, përmes ndryshimeve në Ligjin për Komunikime Elektronike, të cilat tashmë janë hedhur në debat publik.
Me zgjidhjet e reja ligjore, qytetarët dhe bizneset do të mund të përdorin shërbimet mobile në vendet e BE-së pa kosto shtesë, pra me të njëjtat kushte si në vend – model i njohur si “roaming si në shtëpi”.
Përshtatje me rregulloret evropiane
Ndryshimet parashikojnë harmonizim me disa direktiva dhe rregullore evropiane në fushën e komunikimeve elektronike, me qëllim kufizimin e çmimeve, rritjen e transparencës dhe mbrojtjen e përdoruesve nga faturat e papritura dhe të larta.
Po ashtu, forcohet roli rregullator i institucioneve përgjegjëse dhe do të vendosen mekanizma për informim të qartë të përdoruesve lidhur me kushtet e përdorimit të shërbimeve jashtë vendit.
Ministria e Transformimit Digjital thekson se obligimet ligjore në nivel vendor duhet të përfundojnë deri në muajin shkurt, ndërsa çështjet e tjera teknike dhe kontraktuale do të trajtohen në kuadër të dialogut me Bashkimin Evropian.
Deri në muajin korrik pritet miratimi i akteve nënligjore nga Agjencia për Komunikime Elektronike, pas çka procesi do t’i dërgohet për validim Komisionit Evropian.
Roaming falas tashmë në rajon
Që nga 1 qershori 2021, vendi është pjesë e marrëveshjes rajonale për roaming në Ballkanin Perëndimor, e cila mundëson përdorimin e shërbimeve mobile pa kosto shtesë ndërmjet vendeve të rajonit.
Ndryshimet e reja synojnë ta zgjerojnë këtë parim edhe në vendet anëtare të BE-së, duke nënkuptuar kosto më të ulëta për udhëtime, qasje më të lehtë në shërbime digjitale dhe parashikueshmëri më të madhe të çmimeve.
Komisioni Evropian tashmë është duke punuar për një zgjidhje ligjore që do t’u mundësonte vendeve të Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen zonës evropiane të roamingut, por anëtarësimi do të varet nga përmbushja e kritereve teknike dhe ligjore.
Qeveria ka miratuar edhe një plan veprimi për harmonizim me legjislacionin evropian me afate deri në prill 2026, pas së cilës do të vijojë procesi i skriningut dhe negociatat e mëtejshme me Brukselin./tetova1.mk





