Familja me shtetësi të Maqedonisë së Veriut jetonte në Ravenna të Italisë dhe ishte me origjinë nga fshati Zhitineni i komunës Qendër Zhupë.
Në “Audi A4” udhëtonin prindërit, dy fëmijët dhe nëna e drejtuesit. Vetura fillimisht preku barrierën mbrojtëse dhe më pas u përplas fuqishëm me rimorkion e një kamioni të ndalur për shkak të defektit.
Vajza 4-vjeçare, vëllai i saj 11-vjeçar dhe gjyshja 74-vjeçare vdiqën në vend. Nëna 33-vjeçare pësoi lëndime të lehta, ndërsa babai 39-vjeçar, sipas saktësimit të fundit të policisë, nuk u lëndua.
Shkaku i saktë i aksidentit vazhdon të hetohet.
Tre anëtarë të një familjeje me origjinë nga fshati Zhitineni i komunës Qendër Zhupë kanë humbur jetën në aksidentin e rëndë të trafikut që ndodhi pasditen e së enjtes, më 27 gusht 2026, në autostradën A1 të Primorskës në Slloveni.
Viktimat janë një vajzë vetëm 4 vjeçe, vëllai i saj 11-vjeçar dhe gjyshja e tyre 74-vjeçare. Të tre, së bashku me prindërit e fëmijëve, ishin shtetas të Maqedonisë së Veriut me vendbanim në Itali. Familja jetonte në Ravenna.
Detajet, të cilat mbrëmjen e aksidentit nuk ishin bërë publike, u konfirmuan të premten nga Drejtoria e Policisë së Koperit. Inspektori Peter Leban sqaroi se gruaja 74-vjeçare ishte nëna e drejtuesit të veturës, ndërsa dy fëmijët që humbën jetën ishin vajza dhe djali i tij.Identitetet me emër të viktimave dhe të dy prindërve nuk janë publikuar nga autoritetet.











