Trendy

Dhjetë shqiptarë jashtë, gjashtë maqedonas brenda! Stojkoski emërohet shef i Inspektorateve

Para 43 sekonda

Kolegjiumi i Drejtorëve të Inspektorateve Shtetërore, i përbërë nga 10 drejtorë shqiptarë dhe gjashtë maqedonas, ka zgjedhur për shef Vllatko Stojkoskin.

Sipas burimeve të gazetës KOHA, emërimi ka ndodhur në mbledhjen e fundit të Kolegjiumit, e cila është mbajtur nën udhëheqjen e ministrit të Administratës Publike, Goran Minçev nga ZNAM-i.

Parapralisht, mbledhjen e kishin braktisur 10 drejtorët shqiptarë për shkak të mungesës së përdorimit të gjuhës shqipe, ndërsa pavarësisht kësaj, me vetëm gjashtë anëtarë të pranishëm, numër i pamjaftueshëm madje edhe për kuorum, ishte proceduar me emërimin e Stojkoskit në krye të Inspektorateve.

Vllatko Stojkoski aktualisht është drejtor i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, kuadër i VMRO-DPMNE-së, i emëruar me propozim të zëvendësministrit të Ekonomisë, Marjan Ristevski, shkruan KOHA.

Kolegjiumi i Inspektorateve ka rol kyç në koordinimin e inspektorateve shtetërore, harmonizimin e procedurave, planifikimin e aktiviteteve të përbashkëta dhe adresimin e sfidave sistemike. Në përbërje të tij janë Inspektorati Shtetëror për Tregje, Inspektorati për Punë, Inspektorati për Mjedis Jetësor, Inspektorati për Ndërtim dhe Urbanizëm, Inspektorati Komunal Shtetëror, Inspektorati për Ushqim dhe Veterinari, Inspektorati për Transport, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve dhe të tjera.

Ishte drejtori i Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, Arsim Idrizi, i shoqëruar nga nëntë drejtorë të tjerë shqiptarë, që njoftoi publikisht braktisjen e mbledhjes si shenjë pakënaqësie për mungesën e shqipes. Megjithatë, vetëm pak minuta më vonë, Idrizi e fshiu statusin nga rrjetet sociale.

Rasti rikthen në vëmendje edhe episodin e vitit të kaluar, kur Idrizi kishte refuzuar të fliste maqedonisht para mediave, por pas kërcënimit për shkarkim nga kryeministri, Idrizi u tërhoq duke deklaruar se nuk e zotëronte mirë gjuhën maqedonase. (koha.mk)

Trending