Ekipet e Qendrës së Shëndetit Publik, Agjencisë së Ushqimit dhe Institutit të Shëndetit Publik kanë kryer inspektim të jashtëzakonshëm në mensën e “TEC Manastiri” pasi një pjesë e punonjësve shfaqën simptoma helmimi nga ushqimi. Drejtori i Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, Kirill Llazov, theksoi se tre punonjës të kuzhinës punonin me libreza sanitare të skaduara, përkatësisht nuk kishin kryer kontroll shëndetësor-higjienik, dhe u konstatuan gjithashtu mangësi higjienike në kuzhinën qendrore.
“Nënelementet në pjesën e gatimit ka mbetje të shtresave të yndyrës, në pjesën e përpunimit të mishit dërrasat plastike kanë sipërfaqe të dëmtuar, në sirtarët për ruajtjen e inventarit ka papastërti, mikseri për mish, i cili sipas deklaratës së shefit të pranishëm nuk përdoret, ka mbetje ushqimore të thara”, deklaroi Kirill Llazov, drejtor i Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor.
Janë duke u bërë analiza nga mostrat e marra dhe nëse konfirmohet se burimi i infeksionit është objekti që është subjekt i inspektimit, do të ngrihet procedurë penale. Për rastin është njoftuar edhe Prokuroria Publike e Manastirit. Dhjetëra punonjës të “TEC Manastiri” kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të dhimbjeve të barkut, të vjellave dhe temperaturës. Të gjithë kanë pasur të njëjtën pasqyrë klinike dhe si shkak kanë përmendur konsumimin e ushqimit në kuzhinë. /Alsat.mk.










