Trendy

Dibër, 85 kërkesa për 47 banesa sociale

Para 2 orë

Besohet se me ndarjen e këtyre banesave, sadopak do të zgjidhet problemi i familjeve pa strehë. Shoqatat qytetare thonë se në Dibër ka mbi 200 familje që nuk kanë kulmin e tyre mbi kokë, si dhe familje që jetojnë në shtëpi pothuajse të rrënuara

Vjollca SADIKU

Dibër, 2 prill – Më 31 mars përfundoi afati për dorëzimin e kërkesave për banesa sociale në Dibër. Në Qendrën për Punë Sociale në Dibër na informuan se ka pasur një interes të madh për marrjen e banesave, në ndërtesën e cila ka 47 banesa me sipërfaqe nga 34 deri në 54 metra katrorë.

Drejtoresha e Qendrës Ndërkomunale për Punë Sociale në Dibër, Arlinda Mulladauti Telqiu, për gazetën KOHA deklaroi se në afatin e përcaktuar janë dorëzuar 85 kërkesa.

“Të dhënat zyrtare tregojnë se për gjithsej 47 banesa sociale janë dorëzuar 85 kërkesa. Kjo do të thotë se ka një numër të dyfishuar kërkesash në krahasim me numrin e banesave sociale. Presim që shumë shpejt banesat në fjalë t’u ndahen familjeve që i plotësojnë kushtet”, tha drejtoresha Mulladauti Telqiu.

Në konkursin në fjalë janë paraqitur kryesisht familje në nevojë që nuk kanë kulm mbi kokë, familje me probleme ekstreme sociale, por edhe familje që kanë persona me aftësi të kufizuara. Kjo ndërtesë sociale me 47 banesa është ndërtesa e dytë që shteti ka ndërtuar me karakter social. Ndërtesa gjendet në vendbanimin e ri të Dibrës dhe punët kanë përfunduar me kohë.

Përfaqësues të Ministrisë për Transport dhe Lidhje, gjatë ndërtimit të ndërtesës, kanë deklaruar se në pjesën përdhese ka banesa për familjet që kanë anëtarë me probleme fizike, përkatësisht persona me aftësi të kufizuara.

Por edhe pse kanë konkuruar, disa nga aplikuesit thonë se dëshira e tyre është që banesat t’u ndahen atyre që me të vërtetë u takojnë. Ndarja që u bë para një dekade në ndërtesën sociale shkaktoi shumë shqetësime, pasi banesa morën edhe drejtorë dhe persona pa probleme sociale.

Ata thonë se presin që këtë herë, në ndarjen e dytë të banesave sociale, ato t’u jepen familjeve që i meritojnë. Besohet se me ndarjen e këtyre banesave, sadopak do të zgjidhet problemi i familjeve pa strehë. Shoqatat qytetare thonë se në Dibër ka mbi 200 familje që nuk kanë kulmin e tyre mbi kokë, si dhe familje që jetojnë në shtëpi pothuajse të rrënuara. (koha.mk)

Trending